MAQEDONI-BE

Takim i komitetit konsultativ Maqedoni-BE

03.06.2014 16:10

Ministri i Pushtetit Lokal, Tahir Hani, tha se Komiteti i Komisionit të Rajoneve i jep përkrahje vendit për anëtarësimin e saj në BE........

Ndikimi i pushtetit lokal në zgjerimin e BE-së dhe bashkëpunimi tejkufitar kanë qenë temat e takimit të sotëm të komitetit konsultativ ndërmjet Maqedonisë dhe BE-së.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të bashkësisë së njësive të vetëqeverisjes lokale, Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe Komitetit të rajoneve të Bashkimit Evropian, ndërsa u prezantua raporti dhe rekomandimet e Komitetit Konsultativ të përbashkët, si dhe u shqyrtua nisma e Maqedonisë për involvimin e saj në strategjinë 2014-2020, për makro rajonin e Adriatik-Jonit dhe programin transnacional të BE-së.

Ministri i Pushtetit Lokal, Tahir Hani, tha se Komiteti i Komisionit të Rajoneve i jep përkrahje vendit për anëtarësimin e saj në BE. 

“Komiteti i rajoneve të BE-së është i interesuar dhe i jep mbështetje të madhe Maqedonisë në drejtim të anëtarësimit në BE. Njëherit theksohet se Maqedonia duhet t’i përforcoj  kapacitetet e saj dhe t’i plotësojë të gjitha standardet e nevojshme në drejtim të anëtarësimit në BE”, deklaroi ministri i Pushtetit Lokal, Tahir Hani.

Kryetari i BNJVL-së, Koce Trajanovski, tha se në të gjitha raportet e Komisionit Evropian ka vlerësim pozitiv sa i përket funksionimit të Pushtetit Lokal.

“Funksionimi i Pushtetit Lokal është i rëndësishëm për funksionimin e çdo shteti, por edhe për Maqedoninë. 2\3 e ligjeve që kanë të bëjnë me Pushtetin Lokal dhe që implementohen nga ky pushtet, është kënaqësi e madhe për BNJVL-në se në të gjitha raportet e deritanishme të Komisionit për Vlerësimin e Maqedonisë për anëtarësim në BE, në raportet që kanë të bëjnë me Pushtetin Lokal, janë pozitive në kuptim të përparimit të procesit të decentralizimit”, theksoi kryetari i BNJVL-së, Koce Trajanovski.

Komiteti i përbashkët konsultativ midis Maqedonisë dhe Komitetit të Rajoneve është trup këshillëdhënës i Bashkimit Evropian, i cili ekziston që nga viti 2008. Në të bëjnë pjesë 22 delegat dhe zëvendës të autoriteteve lokale nga Maqedonia, si dhe po aq anëtarë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. (Hamide Ibraimi, TVM2)