Botë

Rama mban mitingun e fitores, falënderon shqiptarët, mes tyre edhe Bashën

28.06.2017 17:59

Rezultati i zgjedhjeve ka shkaktuar entuziazëm në radhët e Partisë Socialiste...

Nga sheshi Skënderbej, kryeministri, Edi Rama, mjaft i emocionuar ka falënderuar me zemër shqiptarët, duke premtuar se nuk do t’i zhgënjejë.
 
“Fitorja është e Shqipërisë dhe merita është e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, ndërsa e jona, e të zgjedhurve të tyre, është vetëm barra e madhe e përgjegjësisë. E imja në radhë të parë, për të mos harruar në asnjë minutë të 4 viteve të ardhshme se shqiptarët nuk zgjodhën për Shqipërinë që kemi, por për Shqipërinë që duam… Dua ta rikonfirmoi publikisht dëshirën për ta pasur marrëveshjen politike të 18 majit një busull orientuese të marrëdhënies të qeverisë së re me opozitën e re dhe duke shprehur këtu vullnetin për ta respektuar atë më tutje, pa asnjë presje, dua ta falënderoj sot Lulzim Bashën për faktin se në 18 maj vuri Shqipërinë të parën”,- tha kryetari i PS-së, Edi Rama.
 
Por ndryshe nga ajo që shohim në selinë roze, në Partinë demokratike janë turbulluar ujërat. Kryetari Lulzim Basha tha se ngrin pozicionin e tij, ndërsa sot, është shpallur i hapur procesi zgjedhor për kreun e ri.
 
“Me efektet të menjëhershëm kam vendosur të ngrij të gjitha funksionet e mia organizative të PD dhe ua delegoj ato dy nënkryetarëve dhe sekretarit të përgjithshëm, për të organizuar me fuqi të plotë vendimmarrëse garën për kryetarin e PD, sipas parimit një anëtar një votë. Unë kam një projekt dhe projektin tim do ta vlerësojnë demokratët në një garë të hapur, të ndershme dhe të barabartë”,- u shpreh kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
 
Deri tani kandidat zyrtar është ish-kryetari i Partisë Demokratike, Eduard Selami, por edhe Lulzim Basha, i cili nuk e ka përjashtuar veten nga gara.
 
LULJETA NDOKA