Maqedoni

Eurointegrimi, përplasen Zhbogar e Miloshoski

28.06.2017 18:06

Maqedonia nuk ka ngec në procesin eurointegrues për shkak të kontestit që ka me Greqinë rreth çështjes së emrit, por për shkak të robërimit të shtetit....

Euroambasadori, Samuel Zhbogar, iu përgjigj troç akuzave të deputetit të VMRO-DPMNE-së se fajtor për moshapjen e bisedimeve me BE-në është fqinji jugor, Greqia.
 
“Mund të përgatisim dokumente reformuese, prioritete dhe udhërrëfyes, dhe në vizitën e radhës së z. Zaevit dhe Bujar Osmanit në Bruksel, do t’u thuhet se RM nuk do të fillojë bisedimet për anëtarësim në BE, përderisa Athina zyrtare vendos veto në rekomandimet e BE-së”,- deklaroi Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.
 
“BE nuk mund të fillojë bisedime me një shtet që KE e kishte përshkruar si shtet i robëruar. Unë desha të sqaroj me shembuj se çfarë nënkuptojmë me shtet i robëruar dhe kjo ishte arsyeja kryesore se pse BE nuk negocion”,- theksoi ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.
 
Edhe zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani, konsideron se kriza politike dhe institucionale kanë penguar këtë proces. Sipas tij, konstituimi i parlamentit paraqet përmbyllje formale të një krize të thellë institucionale dhe politike, e cila dëmtoi rëndë imazhin e vendit para partnerëve dhe la pasoja mbi demokracinë. 
 
“Mendoj se detyra jonë kryesore si politikanë tash është të bëjmë ç’është  e mundur për ta rikthyer vendin në rrugën e integrimit drejt BE-së dhe NATO-s, të përmirësojmë imazhin e dëmtuar para botës dhe të rikthejmë demokracinë dhe sundimin e ligjit”,- tha zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
 
Edhe deputetët e Lëvizjes “Besa”, thonë se ngecja e eurointegrimeve ka ndodhur për shkak të mungesës së kapaciteteve vendore, ndërkaq deputetët e LSDM-së ftuan në konsensus për çështje me interes shtetëror, siç është integrimi në NATO dhe BE. 
 
“Të dëshmojmë me të vërtetë se interesat mbipartiake për RM-në janë anëtarësimi në BE dhe NATO, mund të sjellin deri në konsensus mes të gjitha partive politike për çështje me interes edhe për qytetarët, edhe për RM-në si vend”,- u shpreh Frosina Remenski nga LSDM.
 
“Maqedonia gjatë kësaj kohe ka dëshmuar mungesë të kapaciteteve vendore për ta avancuar sundimin e të drejtës, për ta avancuar demokracinë dhe liritë e njeriut në Maqedoni”,- tha Zeqirija Ibrahimi nga “Besa”.
 
Debati u zhvillua në mbledhjen e parë të Komisionit për Çështje Evropiane ku u shqyrtuan Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2016 dhe Rezoluta e Parlamentit Evropian e 14 qershorit të këtij viti. 
 
SHPËTIM NUREDINI