Maqedoni
Rastet “Sopoti” dhe “Monstra”, “Besa”: PPS t’i procedojë deri të premten
28.06.2017 18:14
Lëvizja “Besa” kërkon që Specialja deri të premten të procedojë rastet “Sopoti” dhe “Monstra”...

Pavarësisht vendimit të Këshillit të Prokurorëve për rastin “Sopoti”, PPS-ja ka materiale të mjaftueshme që ta iniciojë vetë atë lëndë dhe të mos lejojë që drejtësia e politizuar të tallet ende me jetën e të përvuajturve të “Sopotit” dhe të “Monstrës”, thonë nga “Besa”, duke përkujtuar se çdo ditë e kaluar në burg është krim i pafalshëm që shteti ushtron ndaj të burgosurve të pafajshëm.
“Mekanizmat për zbardhjen e të vërtetës së këtyre dy rasteve janë në duart e Prokurorisë Speciale Publike dhe të kësaj qeverie, dhe se ky ishte edhe premtimi i Zoran Zaevit për votuesit shqiptarë, i cili deklaronte se ekzistojnë dëshmi se shqiptarët e këtyre rasteve gjykohen pa të drejtë dhe janë viktimë e proceseve të montuara politike, kërkojmë që sa më shpejt të bëhet ndriçimi i plotë i këtyre rasteve. Lëvizja “Besa” vlerëson se, pa zbardhjen e tërësishme të këtyre rasteve, nuk mund të flitet për situatë stabile ndëretnike dhe kthim të besimit në institucionet e vendit. Nëse kjo nuk bëhet deri të premten dhe pastaj nuk bëhet asnjëherë me arsyetimin e skadimit të afatit, do të konsiderohet si mashtrim dhe tradhti ndaj atyre që e vuajnë burgun e përjetshëm për shkak të drejtësisë së politizuar në Maqedoni”,- deklaroi Blerim Sejdiu nga Lëvizja “Besa”.
