Maqedoni
“Deklarata” dhe programi qeveritar, Ahmeti mbledh partitë shqiptare, “BESA” bojkoton
28.06.2017 18:24
Përfaqësuesit e partive politike shqiptare për disa orë rresht kanë diskutuar punën e realizuar...

Përfaqësuesit e partive politike shqiptare për disa orë rresht kanë diskutuar punën e realizuar deri më tani pas formimit të qeverisë dhe përfshirjen e programeve partiake në programin qeveritar.
Takimin sërish e ka bojkotuar Lëvizja “Besa”, ndërsa për herë të parë morën pjesë përfaqësuesit e PDSh-së. Lideri i BDI-së, Ahmeti, ka thënë se takimi ishte në vazhdimësinë e konsultimeve që kanë pasur partitë politike shqiptare.
“Vlerësuam punën e mirë që është bërë deri më tani, kemi bërë bilanc të të gjithë programeve zgjedhore të parive politike, me çka tanimë një pjesë e tyre vetëm se janë përfshirë në programin qeveritar. Ja t’u marrë shembull praktik, kemi kërkuar të bëhen takimet e rregullta me fqinjët, rezultate ka pasur, takime në Sofje, në Athinë, por dhe vizitat që do të bëhen nga autoritet e larta si paralajmërimet e Nimicit dhe Pribesë etj”- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Përfaqësuesit e PDSh-së pjesëmarrjen e arsyetuan se duan të informohen nga afër lidhur me realizimin e të drejtave të shqiptarëve nga kjo qeveri.
“Partitë nënshkruese të Platformës janë deklaruar se do të avansojnë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, andaj ne vendosëm që të marrim pjesë në këtë takim që më saktësisht të informohemi deri ku është realizimi dhe cilat janë planet e tyre për të ardhmen. PDSh është deklaruar se do të mbështet çdo nismë institucionale që ka të bëjë me avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe çështjet që kanë të bëjnë me proceset integruese”,- tha Luan Tresi nga PDSh.
Lideri i BDI-së apeloi deri te Lëvizja “Besa” që të formojë dhe nominojë anëtarë për në Komisionin për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, pasi që, sipas tij, me këtë po e bllokon procesin për zbardhjen e rasteve të ndjeshme në opinion, si janë “Monstra”, “Sopoti” dhe “Kumanova”.
NAIM RAMADANI
