Maqedoni

“El Hilal”, 45 jetimë për dy javë pushime në Turqi

28.06.2017 18:38

45 fëmijë jetim të Shkupit këtë verë do të pushojnë në qytetin e Bursës dhe të Stambollit...

Shoqata humanitare “El Hilal” për të shtatën herë me radhë u mundëson jetimeve dy javë pushime.
 
“Mendoj se ky ekskursion ka një karakter të rëndësishëm, sidomos edukativ, pastaj arsimor, por edhe rekreativ, sepse gjatë këtyre dy javëve këta nxënës do të shoqërohen në mes veti, do t’i njoftojmë me bukuritë e qytetit të Bursës dhe qytetit të Stambollit, shumica e këtyre fëmijëve për herë të parë shkojnë në këto dy qytete dhe kënaqësia e tyre është e pafund. Mua më vjen mirë që organizata jonë ju mundëson këtyre fëmijëve të dalin nga qyteti i tyre se shumica nuk kanë pasur mundësi të shkojnë jashtë shtetit”,- deklaroi nënkryetari i Organizatës “El Hilal”, Talat Sadiku.
 
Fëmijët dhe prindërit shprehin falënderimet e tyre për pushimet që tradicionalisht për çdo vit po i organizon kjo organizatë.
 
“Është hera e dytë që shkojmë në Turqi dhe jam shumë i lumtur, gëzohemi shumë kur jemi atje”,- u shpreh një jetim. 
 
“Është hera e parë që shkoj në Turqi, jam shumë i gëzuar, shpresoj se do të kalojmë mirë dhe të kthehemi rahat”,- tha një jetim.
 
“Është hera e parë që shkoj në Turqi, jam e gëzuar, shpresoj se do të kalojmë mirë, aty do të qëndrojmë dy javë, një javë në Stamboll dhe një në Turqi”,- theksoi një jetime. 
 
Është paraparë fëmijët të vizitojnë shumë vende historike fetare kulturore të Turqisë. Mbështetjen financiare për  pushimin e fëmijëve jetim e siguron qyteti i Bursës dhe Organizata humanitare “El-Hilal”. Ata do të qëndrojnë 7 ditë në Bursë dhe 7 ditë në Stamboll.
 
GAZMEND KURTISHI