Vendi sot në fazën e portokalltë, rekomandohet evitimi i drejtpërdrejtë i diellit
Maqedonia prej sot deri të shtunën do të kaplohet prej temperaturave të larta të fazës së portokalltë...

Temperatura në disa vende të caktuara pritet të tejkalojë 40 gradë celsius. Për shkak të temperaturave të larta, Ministria e Shëndetësisë rekomandon që të lirohen nga obligimet e punës gratë shtatzëna dhe të sëmurët kronikë të moshës mbi 60 vjeç, ndërkaq punëdhënësit ta riorganizojnë orarin e punës me qëllim që të evitohen aktivitetet në ambiente të hapura gjatë periudhës prej orës 11 deri në orën 17.
Rekomandohet të mos mbahen aktivitete sportive në ambiente të hapura në periudhën prej orës 11 deri në orën 17, ndërsa në kopshte të mos i ekspozojnë fëmijët në diell në këtë periudhë kohore.
Qytetarët këshillohen t’i respektojnë rekomandimet e përgjithshme për mbrojtje nga temperaturat e larta, siç janë konsumimi i ushqimit të lehtë dhe lëngjeve, mënyra higjienike e përgatitjes së ushqimit dhe marrja e rregullt e terapisë tek të sëmurët kronikë.
Sipas paralajmërimeve nga DPHM, moti i nxehtë do të përqendrohet deri të dielën pasdite, kur për shkak të depërtimit të shpejtë të masës së lagësht dhe më të freskët ajrore nga veriu priten reshje të shiut, bubullima dhe erë e përforcuar veriore. Atëherë do të ketë edhe rënie të dukshme të temperaturave.
