Botë

Kriza e emigrantëve, Italia paralajmëron mbylljen e porteve

29.06.2017 12:25

Sistemi i mikpritjes dhe i strehimit të emigrantëve në Itali gjendet aktualisht në një situatë mjaft të vështirë...

Vetëm gjatë 48 orëve të fundit janë rreth 12 mijë emigrantë në bordin e 22 anijeve që priten të zbarkojnë në portet italiane. Qeveria italiane po vlerëson idenë e mbylljes së porteve. Gjatë orëve të fundit, qeveria e Gentilonit i ka prezantuar komisionerit evropian për emigracionin, Dimitris Avramopoulos, situatën mjaft të vështirë me të cilën po përballet Italia.
 
“Është e papranueshme që të gjitha anijet që shpëtojnë emigrantë në Mesdhe të zbarkojnë në Itali. Evropa nuk mund të na kthejë kurrizin. Ndryshe, do të jemi të detyruar të mos lejojmë hyrjen në portet tona të anijeve që nuk kanë flamur italian”,- thuhet në letrën që Italia i ka drejtuar BE-së.
 
Sipas qeverisë në Romë, është e papranueshme që të gjitha anijet me emigrantë të zbarkojnë në brigjet italiane. Mbyllja eventuale e porteve do të vlejë jo vetëm për anijet e organizatave joqeveritare që operojnë me operacionet e shpëtimit në Mesdhe, por dhe ndaj flotës detare të operacioneve europiane Frontex e Eunavformed.
 
Nga Italia vjen një thirrje alarmi e jo një kërkesë parash, ka deklaruar kryetari i PE-së, Antonio Tajani, sipas të cilit Italia nuk duhet lënë vetëm.