Maqedoni

Rasti “Monstra”, anulohet seanca gjyqësore për më 12 shtator

29.06.2017 15:35

Për herë të tretë për shkaqe objektive Gjykata Supreme ka anuluar seancën publike për rastin “Monstra”...

Seanca e radhë është caktuar më datën 12 shtator. Sipas avokatit mbrojtës, Naser Raufi, ky interval kohor është i mjaftueshëm që Prokuroria Speciale të veprojë lidhur me këtë rast. Provat të cilat i posedon kjo prokurori janë shumë të rëndësishme për fatin e rastit “Monstra”, shprehet Raufi.
 
“Mendoj që deri në atë periudhë kohore PPS do të dalë me provat që janë në këtë prokurori. Këtë informatë e kemi pasi kemi pasur edhe kontakt me Prokurorinë Speciale dhe mendoj se provat që i posedon PPS janë të një rëndësie kruciale për zbardhjen e këtij rasti. Edhe publiku e di dhe gjithë janë të informuar se ky rast është i montuar dhe këtë e kanë deklaruar personat që i kanë dëgjuar “bombat” dhe vetëm e presim momentin që në këtë rast të involvohet PPS-ja dhe jemi të bindur se në shtator këtë rast do ta marrë kjo prokurori”,- deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
 
Edhe Prokuroria Publike që përfaqëson akuzën për të akuzuarit në rastin “Monstra” dhe dënimin me burg të përjetshëm në seancën e fundit kishte kërkuar nga trupi gjykues pranë Gjykatës Supreme që mos të përfundojë rastin pa i siguruar dëshmitë e nevojshme për zbardhjen e së vërtetës, të cilat i posedon Prokuroria Speciale.
 
“Mendoj se Gjykata Supreme duhet të veprojë në drejtim të asaj që kishte kërkuar paditësi zyrtar në këtë lëndë”,- theksoi avokati mbrojtës, Sashko Dukovski.                                                                                            
Prokurorja Speciale, Katica Janeva, e pyetur në lidhje me rastin “Monstra”  ka thënë se ata nuk kanë marrë përgjigje ende nga Këshilli i Prokurorëve nëse janë apo jo kompetentë për këtë lëndë.                                                                                                                     
“Shpresoj që në periudhën e ardhshme Këshilli i Prokurorëve, deri tek e cila është dorëzuar kërkesë jo vetëm për “Monstrën”, por edhe për lëndë tjera, do t’i dorëzojë lëndët në PPS që ne të shohim nëse jemi kompetentë apo jo për ato lëndë. Është i qartë ligji në këtë pjesë, se në afat kohor prej 8 ditëve nga marrja e lëndës unë vendosi nëse jam kompetente për lëndën ose jo, nuk do të thotë ajo se të gjitha lëndët në ndonjë fazë nuk janë shqyrtuar dhe nëse ka implikime të marrim nën kompetencat tona apo jo. Për shkak të mosbashkëpunimit, ne nuk kemi mundur të vazhdojnë me disa veprime që janë nën kompetencat tona”,- tha kryeprokurorja speciale, Katica Janeva.
 
Për vrasjen e pesëfishtë tek liqeni i Smillkovës janë dënuar me burg të përjetshëm gjashtë persona. Lideri i LSDM-së, tani kryeministrër, Zoran Zaev, disa herë kishte paralajmëruar se opinioni përmes “bombave” do ta mësojë të vërtetën për këtë rast, por megjithatë përgjime të tilla nuk u publikuan dhe tani pritet që PPS-ja të hetojë rastin.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI