Leonora Jakupi fituese e netëve të klipit shqiptarë
Shkupi u kthye mbrëmë në epiqendër të botës së muzikës shqiptare. Nata gala e këtij festivali mblodhi personazhet e shquara të botës së muzikës dhe ekranit, që parakaluan në qilimin e kuq......

Në mënyrë glamuroze dhe me shumë stil, në sheshin “Skënderbe” në Shkup u mbajt mbrëmë festivali i 13 i videklipeve shqiptare.
Shkupi u kthye mbrëmë në epiqendër të botës së muzikës shqiptare. Nata gala e këtij festivali mblodhi personazhet e shquara të botës së muzikës dhe ekranit, që parakaluan në qilimin e kuq.
Ethet e shumta shoqëruan gjithë mbrëmjen këngëtarët e nominuar në pritje të çmimeve të mëdha. Klipi më i mirë në të gjitha komponentët, fituesi absolut i netëve të klipit shqiptar ishte Leonora Jakupi, me videoklipin e këngës “ Vajza e kojshis”, në bashkëpunim me “MAX prodakshën”.
“U gëzova shumë, pse jo, pas gjithë atij mundi për të realizuar këtë video. Po më vjen shumë mirë që juria dhe ky festival vlerësuar punën. Do të doja të përshëndes dy autorët e këngës, Aidën dhe Armendin, të cilët kanë bërë një punë të mrekullueshme, pastaj edhe “MAX produkcion”, në veçanti Bjordin, i cili është munduar të bëjë të pamundurën që së bashku të realizojmë një skenar për këtë video, të gjithë bashkëpunëtorët e mi. Më së shumti po gëzohem që “Deliart asocieshën” këtë event e mban në Shkup dhe pikërisht në Shkup unë po marr këtë çmim”, - u shpreh fituesja absolute e spektaklit, Leonora Jakupi.
Edhe pse në sheshin “Skënderbeu” janë mbajtur deri tani shumë koncerte dhe aktivitete të tjera, asnjë nuk krahasohet me glamurin dhe shkëlqimin që ofruan netët e klipit shqiptar.
“Është eveniment i parë në sheshin “Skënderbeu” të Shkupit, është një manifestim i qëlluar në këtë shesh, sepse këtu shkon porosia e të madhit Skënderbe, këtu janë nga të gjitha trevat e shqiptarëve dhe e zbukuroni këtë shesh. Shkupi, sheshi “Skënderbe” nuk i takon vetëm shqiptarëve të Shkupit, por i takon shqiptarëve, të gjithëve dhe unë dëshiroj që ky eveniment të jetë vetëm fillimi dhe të pasojnë shumë evenimente, në Shkup kanë hise të gjithë shqiptarët nga të gjitha trevat”, theksoi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Festivali i 13 i videoklipeve shqiptare, një bashkëprodhim i “Deliart asocejshën” dhe TVM 2, u ndihmua nga Komuna e Çairit dhe Qendra Kulturore Informative.
“Mirë se erdhët miq të nderuar të Shqipërisë, të Kosovës, të diasporës dhe të gjithë këtu për herë të parë në festivalin e 13 të klipeve shqiptare, mirëserdhët në Çarshi të Vjetër të Shkupit”, tha drejtoresha e QIK, Sermine Purini.
Natën gala të “Netëve të klipit shqiptar” e drejtuan personalitetet e mirënjohura të ekranit shqiptarë, Avni Qaili, Migena Gorenca dhe Klea Hutaj. (Rexhep Qamili, TVM2)
