Maqedoni

PPS: 17 akuza për 18 lëndë, të akuzuar 94 persona fizikë dhe 7 persona juridikë

29.06.2017 15:58

Prokurorja Speciale një ditë para skadimit të afatit doli me 17 akuza për 18 lëndë kundër 94 personave fizikë dhe 7 personave juridikë....

Prokurorja, Katica Janeva, pret që të gjitha lëndët të merren nga gjykatat me procedurë urgjente dhe të vendosin në afat prej 24 orësh. Janeva sqaroi se lëndët “Fortesa” dhe “Target” janë bashkuar në një lëndë, ndërsa vetëm për lëndët “Tabela” dhe “Talir” nuk ka të ngritur akuzë.
 
“Edhe pse nuk është arritur një zgjidhje ligjore që PPS-ja të veprojë më tutje, deri sot kemi arritur t’i ngrisim të gjitha aktakuzat, gjithsej 17 akuza, për 18 lëndë, për 94 persona fizikë dhe 7 persona juridikë, ku bëhet fjalë për keqpërdorime serioze të detyrave zyrtare. Ngritja e akuzave paraqet një hap para plotësimit të mandatit të PPS-së në interes të qytetarëve të Maqedonisë. Jemi të bindur se me procedura penale do të dëshmojmë se i kanë bërë veprat penale që ngarkohen në aktakuza”,- deklaroi Katica Janeva nga PPS.
 
Janeva tha se ka dyshime serioze që funksionarët shtetërorë kanë bërë shkelje të ligjit, gjegjësisht keqpërdorim të autorizimit zyrtar, ndërsa e pyetur nëse ka funksionarë të BDI-së, ajo tha se tani për tani nuk është hapur asnjë rast ku përfshihen funksionarë nga kampi i integristëve.  
 
“Nuk kemi hapur hetime për funksionarë të lartë të BDI-së. Tani për tani, 45% e materialeve të dëgjuara nuk janë analizuar ende përveç këtyre hetimeve që i kemi hapur deri tani. Edhe 55% të lëndëve të tjera duhet që të dëgjohen dhe analizohen”,- u shpreh Katica Janeva nga PPS.
 
Sa i përket asaj se më 30 qershor skadon afati që PPS të mund të parashtrojë akuza, Janeva shpreson se do të gjendet një mënyrë ligjore për të vazhduar mandatin e kësaj prokurorie. 
 
“E siguroj opinionin se dita e sotme nuk ndryshon asgjë në faktin se kjo prokurori publike, si një institucion profesional dhe i pavarur, do të vazhdojë përmes hetimeve të pavarura dhe të plota në veprimet e duhura ligjore për të siguruar drejtësinë. 1 korriku nuk do të thotë asgjë për ne. Mandati ynë është 5 vjet dhe edhe tre vjet ne do të punojmë, ne do të punojmë derisa ata të gjejnë një mënyrë që mandati ynë të zgjasë”,- theksoi Janeva.    
 
Lëndët janë përgatitur në kuti, ndërkaq sot iu dorëzuan gjykatës.  Janeva paralajmëroi se për një numër të madh të të akuzuarve, Prokuroria Speciale do të kërkojë masën e paraburgimit, përfshirë edhe liderin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevskin, si dhe ish-zyrtarët, Mile Janakieskin, Gordana Jankulloskan, Kiril Bozhinovskin dhe Martin Protugjerin, të akuzuar në rastin ”Titanik”, që lidhet me mashtrimet zgjedhore. Përveç këtyre, për rastin e njëjtë kërkohet paraburgim edhe për Sasho Mijallkovin, Elizabeta Kançeska-Milevskan dhe Vlladimir Peshevskin.
 
SANIJE DURAKU