Ekonomi

Angjushev: Mbështetje kompanive vendore; Tevdovski: Po përgatitet ribalanc i buxhetit

29.06.2017 17:37

Bashkëpunimi i investuesve të huaj me kompanitë vendore do të jetë një ndër qëllimet kryesore të qeverisë së re, deklaroi zëvendëskryeministri, Koco Angjushev...

Ai theksoi se mbështetja për kompanitë e huaja ka qenë prej 10 deri në 50 për qind nga buxheti shtetëror, por bashkëpunimi i tyre me kompanitë vendore ka qenë nën 1%. Kjo praktikë, sipas tij, duhet të ndërrohet, sepse nëse mbështeten vetëm kompanitë e huaja nuk do të ketë qëndrueshmëri afatgjate.
 
Angjushev u zotua për mbështetje të kompanive vendore, e sidomos të atyre që do të jenë të fokusuara të depërtojnë jashtë tregut vendor. 
 
“Do t’i mbështesim të gjitha kompanitë të cilat do të jenë të orientuara në eksport. Shteti nuk do të përzihet në biznesin, por do të krijojë kushte dhe investime kapitale të qëndrueshme për një periudhë më të gjatë si rrugë, rrjet i gazit, shtylla etj. Kjo do të jetë prioritet, vetëm këtu Qeveria do të jetë punëdhënëse, asnjë sektor tjetër jo”,- theksoi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koco Angjushev. 
 
Ndërkohë, ministri i Financave, Dragan Tevdovski, tha se prioritetet e kësaj ministrie do të jenë shpërndarja joselektive e TVSh-së, ribalanci i buxhetit, si dhe mbështetja e investimeve kapitale, përmes të cilave do të sillet zhvillim ekonomik.
 
“Ministria e Financave është duke përgatitur ribalanc të buxhetit, por në të njëjtën kohë filluam edhe me përgatitjen për hartimin e buxhetit të ri të vitit 2018. Në pikëpamje të ribalancit, qëllimi ynë primar është që të shkurtojmë komoditetin e njerëzve në qeveri. Detyra jonë më e madhe është të mundësojmë rritje të investimeve kapitale”,- u shpreh ministri i Financave, Dragan Tevdovski.
 
Këto deklarata u dhanë me rastin e Kuvendit vjetor të Biznes-Asociacionit Evropian, ku morën pjesë afaristë dhe personalitete të komunitetit të biznesit, të cilët patën mundësi të japin sugjerimet e tyre.
 
ERSAN PAJAZITI