Maqedoni

Osmani: KE, mbështetje të fuqishme reformave në RM

29.06.2017 17:43

Në mbledhjen e 14 të Komitetet për Stabilizim dhe Asocim mes Maqedonisë dhe Komisionit Europian...

Në mbledhjen e 14 të Komitetet për Stabilizim dhe Asocim mes Maqedonisë dhe Komisionit Europian, kjo e fundit ka shprehur gatishmërinë që të ndihmojë agjendën e reformave të qeverisë së re, ka deklaruar zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.
 
Komiteti, i cili u bashkëkryesua nga zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, dhe drejtoresha për Ballkanin perëndimor në Drejtorinë për fqinjësi dhe negociata për zgjerim të Komisionit Evropian, Gjenoveva Ruiz Kalavera, konkludoi se qeveria duhet të vazhdojë me reforma urgjente me qëllim të hapjes së qasjeve për negociata me Bashkimin Evropian.
 
“Ne vendosëm që t’i japim nivelin më të lartë politik takimit të Komitetit për stabilizim dhe asocim për ta dhënë mesazhin deri te partnerët tanë ndërkombëtarë se e kemi marrë seriozisht obligimin tonë për të shtyrë përpara procesin e integrimit. Shprehëm para Komisionit Evropian se cili është plani jonë për t’i adresuar reformat urgjente në tre muajt e parë, 6 muajt dhe 9 muajt e parë për të marrë rekomandim të pastër në fund të këtij procesi. Ajo që është me rëndësi është se sot morëm një mbështetje të fuqishme nga Komisioni Evropian për rrugën tonë dhe procesin tonë reformues”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.
 
Si vazhdim i këtij Komisioni për Stabilizim dhe Asocim, më 18 korrik është planifikuar Këshilli për asociim dhe stabilizim të Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar në nivel më të lartë nga ana e Qeverisë së Maqedonisë, ndërsa Komisionin Evropian pritet ta prezantojë Federika Mogerini dhe eurokomisari, Johanes Han.
 
GAZMEND REXHEPI