Maqedoni
Kuvend, vazhdohet deri më 31 dhjetor kriza e migrantëve
29.06.2017 17:55
Vazhdohet afati i ekzistimit të krizës së refugjatëve në Maqedoni...

Me 94 vota “për”, në Kuvend u miratua vendimi për vazhdimin e krizës së refugjatëve përgjatë kufirit jugor dhe verior të vendit deri më 31 dhjetor të këtij viti.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, tha se për shkak të fluksit të madh të emigrantëve në Ballkan duhet të bëhet shumë kujdes në sigurimin e kufijve të vendit.
“Ky vendim është me rëndësi të madhe për vendin tonë për arsye se me këtë do t’u mundësohet Armatës së Maqedonisë të veprojë bashkërisht me MPB-në në sigurimin e mëtejshëm të kufijve të vendit përgjatë Greqisë, ku në të kaluarën pati fluks të madh emigrantësh”,- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Edhe VMRO-DPMNE-ja opozitare mbështeti vendimin e mazhorancës, duke theksuar se sigurimi i kufijve mbetet edhe më tej prioritet i lartë i kësaj partie, por nuk janë dakort që në Maqedoni të ndërtohen kampe për refugjatët. Për momentin, përgjatë kufirit me Greqinë, krahas policëve vendorë, ndodhen rreth 100 policë nga Sllovenia, Serbia, Çekia, Hungaria, Polonia dhe Kroacia, që ruajnë kufijtë e Maqedonisë dhe të Greqisë nga fluksi i madh i refugjatëve.
REXHEP QAMILI
