Maqedoni
Moti, vendi i kapluar nga temperaturat e larta, Mjekët: Mos dilni pa nevojë nga shtëpia!
29.06.2017 18:04
Deri të shtunën vendi do të jetë i kapluar nga temperaturat e larta të fazës së portokalltë...

Temperatura në disa vende të caktuara pritet të tejkalojë në 40 gradë celsius. Sipas sinoptikanëve, nesër pritet të kemi temperatura më të larta.
“Edhe gjatë ditës së nesërme, koha do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë, me erë të dobët nga jugu. UV indeksi do të jetë shumë i lartë dhe do të arrijë deri në 9. Temperaturat e ajrit gjatë ditës do të jenë shumë të larta, ku do të variojnë nga 35 deri në 42 grade celsius. Në rajonin e Shkupit nesër do të mbajë mot me diell dhe shumë i nxehtë, me temperaturë maksimale deri në 40 gradë. Deri të shtunën rajoni ynë do të jetë i kapluar nga një valë e të nxehtit, me temperatura mbi mesatare”,- u shpreh një sinoptikan.
Për shkak të temperaturave të larta, Ministria e Shëndetësisë rekomandon që të lirohen nga obligimet e punës gratë shtatzëna dhe të sëmurët kronikë të moshës mbi 60 vjeç, sepse janë pikërisht ata që kërkojnë më shumë ndihmë nëpër spitale.
“Këto ditë nuk është rritur numri i intervenimeve në ndihmën e shpejtë mjekësore, ky numër sillet diku në 110-115 brenda 24 orëve, që është numër normal për këtë periudhë të vitit. Personat që kërkojnë ndihmë mjekësore dhe që zakonisht simptomat duket të jenë nga temperaturat e larta janë ata me sëmundje kronike”,- u shpreh një mjek.
Edhe përkundër apeleve të Ministrisë së Shëndetësisë që të evitohen aktivitetet në ambiente të hapura gjatë periudhës prej orës 11 deri në orën 17, shumica e qytetarëve nuk mund t’u përmbahen, sepse, siç thonë ata, “janë të detyruar të dalin jashtë shtëpive për të kryer obligimet e ditës”.
“Meqë jam jashtë në këtë orë, pra në orën 12, ndërsa rekomandimi i mjekëve është deri në orën 11, kjo nënkupton se nuk i përmbahemi rekomandimit. Por, natyrisht në këtë periudhë shumë pak ha bukë dhe më tepër lëngje konsumoj”,- theksoi një qytetar.
“Kur nuk jam në punë u përmbahem rekomandimeve, ndërsa kur jam në punë nuk mund t’u përmbahem”,- theksoi një qytetarë.
“Më tepër pimë pijë të ftohta, edhe kafen e pimë të ftohtë në këtë kohë”,- u shpreh një qytetarë.
Temperaturat në këtë periudhë të vitit do të vazhdojnë të jenë të larta, megjithëse, siç paralajmërojnë sinoptikët, të dielën në disa pjesë të vendit pritet të kemi ulje të temperaturave dhe reshje të shiut.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
