MAQEDONI

Besimi: Ideja e zgjerimit do të jetë në fokus të BE-së

03.06.2014 18:28

Pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, ideja për zgjerim do të jetë në fokus të BE-së...

Pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, ideja për zgjerim do të jetë në fokus të BE-së. Për Maqedoninë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor ideja e zgjerimit vazhdon të mbetet një ide që ka për qëllim bashkimin.
 
Edhe pse vendet e Evropës janë  ballafaquar me shumë sfida, ideja për bashkim gjithmonë ka dalë më e fortë, ka deklaruar zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi.
 
“Do të vijë një periudhë kur do të ketë nevojë për një angazhim më të madh, kurse ideja e zgjerimit do të jetë ende në fokus të BE-së. Mund të them se si për Maqedoninë ashtu edhe për vendet e rajonit, ideja e zgjerimit dhe ideja e Bashkimit Evropian është një ide e cila bashkon dhe ideja e BE-së është ajo ide e cila solli paqen në rajon në këto dekada të fundit. Ky është një proces, nga i cili që do të kemi përfitime dhe normalisht se Evropa ka pasur shumë sfida dhe pas çdo sfide ideja për Evropë ka dalë më e fortë”, deklaroi zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi.
 
Profesorët universitar, Fejzullah Shabani dhe Rizvan Sulejmani, vlerësojnë se vendet e Ballkanit Perëndimor ballafaqohen me probleme të ndryshme.
 
“Jam i bindur se BE–ja nuk do ta bëjë gabimin që bëri me Rumaninë dhe Bullgarinë, që i pranoi pa kritere minimale jo politike. Në këtë koncept edhe Maqedonia nuk është në agjendën e komisionarëve të ri dhe se sa i kemi plotësuar kriteret. Real të jemi, ta lëmë anash problemin e emrit, por në raport theksohen edhe sundimi i së drejtës, problemi me lirinë e mediave, çështja e korrupsionit, partizimit të administratës dhe tash shtrohet çështja se çka ka bërë Maqedonia në këtë gjashtë mujor, së paku t’i përmirësojë këto kushte. Kemi dy koncepte të ndara, pra kemi një subjekt shqiptar që pretendon për strukturat euroatlantike dhe një subjekt tjetër që numërohet në vend dhe fajin gjithmonë e hedh te Greqia”, theksoi profesori universitar, Fejzullah Shabani.
 
Këto komente u bënë në tryezën e rrumbullakët me temë: “Perspektivat evropiane të Ballkanit perëndimor pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian” që u mbajt në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.
 
MIFTAR EMINI