Maqedoni
Gruevski: PPS, institucion për përndjekje politike
29.06.2017 18:06
VMRO-DPMNE është sulmuar si asnjëherë më parë në historinë e Maqedonisë....

Bëhet fjalë për përndjekje politike, ky është proces politik. Kështu u shpreh kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski,pasi që Prokuroria Speciale kërkoi paraburgim për të dhe për 94 persona, si dhe për shtatë subjekte juridike. Sipas tij, PPS është zyrë e LSDM-së dhe ka humbur kredibilitetin e saj, ndërsa qëllimi është që të thyhet VMRO-DPMNE.
“Dua t’u them se nuk do të na thyejnë, nuk do të kenë sukses. Në këtë proces janë sulmuar edhe gjykatës, por edhe gazetarë të cilët në mënyrë kritike kanë observuar punën e tyre. Qëllimi është që të na frikojnë dhe gjykatësit të vendosin në favor të tyre. Ne i dolëm në mbrojtje shtetit, rezistuam për mosnënshkrimin e marrëveshjeve të dëmshme dhe platformave nga shtete të huaja që mbrojtëm unitetin e shtetit tonë”,- u shpreh kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
Sipas tij, këtë që bën udhëheqësia e LSDM-së është akt qyqar dhe kjo nuk do të përfundojë me sukses.
“Konstruktiviteti në veprimin tonë përfundon sot. PPS do të jetë pjesë e historisë nga e cila turpërohet secili që e do këtë shtet. Udhëheqësia e LSDM-së ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me disa prokurorë, qe t’i akuzojnë padrejtësisht 100 persona nga partia jonë”,- theksoi Gruevski.
Sipas Gruevskit, e ardhmja do të dëshmojë se LSDM në kontinuitet punon për rrënimin e interesave nacionale dhe shtetërore.
FLUTURA LATIFI
