Maqedoni
Reformat në media, nis dialogu mes ShGM-së dhe Qeverisë
29.06.2017 18:32
Në prani të ish-ndërmjetësit evropian në bisedimet për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni, Piter Vanhoutte...

Në prani të ish-ndërmjetësit evropian në bisedimet për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni, Piter Vanhoutte, qeveria ka nisur bisedimet me përfaqësuesit e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë për reformat në media.
Kryeministri Zaev me këtë rast ka thënë se Qeveria e Maqedonisë po punon në mënyrë aktive me qëllim që të gjinden zgjidhje të shëndosha afatgjate, sistematike në sferën mediatike dhe sipas praktikave më të mira evropiane.
“Jemi të hapur për të gjithë procesin reformues dhe kjo vlen edhe për reformat mediatike. Konsultohemi me të gjithë opinionin e ekspertëve. Jemi konsultuar me sektorin civil, do ta kyçim edhe opozitën. Qëllimi ynë është që të sigurojmë RTVM-në që të jetë servis publik, të ketë punë profesionale të Agjencisë për Shërbime Audio dhe audio-vizuele, si dhe kushte për punë objektive dhe të balancuar të të gjitha mediave tjera, sepse në interes të të gjithë qytetarëve është që të jenë të informuar në kohë dhe në mënyrë të saktë”,- ka thënë Zaevi.
Nga ana e ekspertit Vanhoutte dhe përfaqësuesit të ShGM-së është përshëndetur iniciativa e Qeverisë, që reformat mediatike të jenë mes prioriteteve në procesin reformues. Vanhoutte ka vlerësuar se është shumë e rëndësishme që Qeveria e kupton rolin e rëndësishëm të mediave në demokraci, të cilat, siç ka thënë ai, dëshiron t’i sheh edhe BE-ja.
Ai ka theksuar se aktualisht Maqedonia është në fund të listës sa i takon lirisë së mediave në raportet e të gjitha institucioneve dhe organizatave relevante evropiane dhe botërore. Kjo, sipas tij, pikërisht për shkak të mungesës së vullnetit politik deri më tani, që të sigurohet liria e shprehjes, gazetaria profesionale dhe mbrojtja e gazetarëve.
Përfaqësuesit e ShGM-së, Naser Selmani dhe Dragan Sekullovski, kanë kërkuar që veçanërisht t’i kushtohet rëndësi mbrojtjes së gazetarëve nga dhuna që shkaktohet nga ana e institucioneve shtetërore, si dhe nga presioni nëpërmjet proceseve gjyqësore jotransparente.
