MAQEDONI

Jakupi: Dorëheqja çon në zgjedhje për vendet e opozitës

03.06.2014 18:30

Dorëheqjet e 33 deputetëve të opozitës pritet të konstatohen në seancën e radhës

Dorëheqjet e 33 deputetëve të opozitës pritet të konstatohen në seancën e radhës së Kuvendit Republikan.
 
Edhe pse të dorëzuara që nga 28 maji, kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski, ende nuk ka caktuar një seancë, ku ndër të tjera do të konfirmoheshin këto dorëheqje që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve të mund të vazhdojë procedurën dhe konform Kodit Zgjedhor mandatet t’u ofrohen kandidatëve të radhës nga lista përkatëse.  
 
“Si KShZ ne jemi të obliguar që t’u ofrojmë mandatin atyre të cilët nuk janë fitues nga lista e njëjtë e partisë politike që ka fituar mandatet”, deklaroi nënkryetari i KShZ-së, Subhi Jakupi.
 
Mirëpo kreu i opozitës, Zoran Zaev, konfirmoi se të gjithë kandidatët kanë dorëzuar në parti dorëheqjet e noterizuara, të cilat do të dorëzohen në KShZ kur kjo e fundit do t’i ftojë kandidatët e radhës për të pranuar mandatin. Një situatë e tillë është paralajmërim për zgjedhje shtesë, për të plotësuar vendet vakante.
 
“Atëherë, për aq kandidat sa kanë fituar nga ajo listë zgjedhore, shpallen zgjedhje të reja në ato njësi zgjedhore për aq mandate sa nuk e kanë pranuar mandatin”, theksoi nënkryetari i KShZ-së, Subhi Jakupi.
 
Por, një veprim i tillë edhe pse ligjor, është i dëmshëm për demokracinë në vend dhe për procesin eurointegrues. Është e paimagjinueshme të mos ketë opozitë, vlerëson analisti Hasan Jashari.  
 
“Shtetet me demokraci të zhvilluar, me traditë, nuk e shohin si të mirë këtë situatë, sepse nuk bën, nuk është e qëndrueshme që vazhdimisht një parti të jetë në pushtet dhe me resurset publike të grabisin të gjitha format e pushtetit. Edhe pushtetit parlamentar edhe qeverinë edhe sistemin gjyqësor ta kontrollojë edhe mediat”, potencoi analisti Hasan Jashari.
 
33 deputet të opozitës maqedonase, të udhëhequr nga LSDM, më 28 maj dorëzuan dorëheqjet në Kuvendin Republikan, si aktin më të fuqishëm për të kontestuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
 
Opozita maqedonase paralajmëroi veprim jashtëparlamentar kundër pushtetit deri në zgjedhjet e radhës.
 
SHPËTIM NUREDINI