Maqedoni

Bejli: Ndërtoni urat e unitetit politik dhe etnik

30.06.2017 12:38

Ambasada e Shteteve të Bashkuara festoi mbrëmë 4 korrikun në prani të përfaqësuesve të institucioneve e fytyrave të tjera publike...

“Ndërtojmë ura” ishte tema e festimit sivjet dhe ambasadori Bejli nënvizoi rëndësinë metaforike të urave, që e cilësoi si mjaft adekuate për këtë moment për Maqedoninë.
 
“Kjo është koha për ndërtimin e unitetit ndërmjet partive dhe bashkësive në mënyrë që të arrihet qëllimi i përbashkët – një Maqedoni e sigurt, prosperuese dhe demokratike, e cila lëviz drejt NATO-s dhe BE-së. Kjo është koha kur duhet të komunikoni me fqinjët tuaj, t’i tejkaloni dallimet dhe ta përforconi bashkëpunimin rajonal – ndonjëherë edhe tekstualisht përmes ndërtimit të urave dhe infrastrukturës tjetër… Përmes partneriteteve ne po punojmë së bashku për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Maqedoninë, një të ardhme në të cilën qytetarët do të gëzojnë të gjitha përfitimet e demokracisë dhe anëtarësimin në bashkësinë euroatlantike”,- deklaroi ambasadori i ShBA-ve në RM, Jess Baily.
 
Ai theksoi edhe se “urat gjithsesi nuk mundesh t’i ndërtosh e t’i harrosh, por është shumë me rëndësi të mirëmbahen. Urat simbolike, që ndërtohen ndërmjet kombeve tona, përmes bashkëpunimit dhe këmbimit, gjithashtu kërkojnë kultivim dhe mirëmbajtje nga të gjithë ne”,- tha Bejli. 
 
4 korriku është dita e shpalljes së Pavarësisë së ShBA-ve nga Mbretëria Britanike në vitin 1776.
 
FLUTURA LATIFI