Botë
Trump do të takojë Putinin
30.06.2017 13:18
Donald Trump dhe Vladimir Putin takohen për herë të parë kokë më kokë javën e ardhshme në samitin e G20-s në Hamburg...

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, H.R. McMaster e bëri njoftimin të enjten, në takimin me gazetarë në Shtëpinë e Bardhë. McMaster nuk sqaroi megjithatë nëse pjesë e bisedimeve do të jetë edhe ndërhyrja ruse në presidencialet amerikane të vitit 2016.
Nuk ka një agjendë të caktuar, tha zyrtari i lartë, duke shtuar se "varet çfarë duan të bisedojnë presidentët". Takimi vjen në mesin e stuhisë që kanë shkaktuar pretendimet e ndërhyrjes ruse në zgjedhje me veprime ku përfshihen sulme kibernetike dhe fushata të keqinformimit, si dhe hetimeve të ngritura në Shtetet e Bashkuara për këtë qëllim.
Agjencitë amerikane të zbulimit kanë dalë në përfundimin se Rusia ishte angazhuar me qëllimin të ndihmojë Trump të hyjë në Shtëpinë e Bardhë. Javën e kaluar, shefi i Sigurimit të Brendshëm, Jeh Johnson dhe zyrtarë të tjerë të Shteteve të Bashkuara konfirmuan ndërhyrjen ruse, por në dëshminë e dhënë në Capitol Hill, ai tha se nuk ka prova që Moska ka qenë në gjendje të ndryshojë votat.
Vetë shefi i Kremlinit i hedh poshtë kategorikisht pretendimet e një ndërhyrjeje qeveritare ruse në sulmet kibernetike në SHBA, por e ka deklaruar nga ana tjetër se mund të jenë kryer goditje nga persona që i cilëson si “hakera patriotë”. Disa zyrtarë të administratës amerikane kërkojnë marrëdhënie të kujdesshme me Moskën përsa kohë hetimet janë në zhvillim, ama VOA këmbëngul se vetë Trump dhe të tjerë në administratën e tij janë të etur të bisedojnë me Putinin dhe kjo i ka shtyrë të angazhohen në organizimin e një takimi tipik dypalësh./Top Channel
