Maqedoni
Van Hojte, me propozim për reforma rrënjësore në media, Selmani: Mbështesim propozimin e Van Hojtes
30.06.2017 15:14
Financimi i pavarur i RTVM-së më së paku prej 1% nga buxheti i shtetit, përforcimi i kapaciteteve kadrovike...

Financimi i pavarur i RTVM-së më së paku prej 1% nga buxheti i shtetit, përforcimi i kapaciteteve kadrovike dhe programore të servisit publik dhe zbatimi i konceptit të “Vetërregullimit” të mediave, është pikënisja kryesore për të bërë reforma në media.
Kështu vlerëson eksperti evropian, Piter Van Hojte, sipas të cilit tregut mediatik të Maqedonisë i nevojiten reforma urgjente që do të fillojnë nga servisi publik e më pas të njëjtat do të shërbejnë si koncept për reforma në mediat e tjera.
“Shpresojmë që propozimi, i cili është në tavolinë, pasi që të miratohet mund të jetë pikënisje e mirë për të filluar me reforma rrënjësore në RTVM, madje edhe në mediat e tjera. Duke marrë parasysh se ende ekzistojnë edhe shumë çështje të tjera të hapura në këtë drejtim, këto reforma të propozuara duhet të jenë pjesë e planit afatgjatë zhvillimor”,- deklaroi eksperti evropian, Piter Van Hojte.
Propozimi për reforma urgjente në media të Piter Van Hojtes është i njëjti i cili nuk u pranua nga VMRO-DPMNE vitin e kaluar. Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë tashmë vlerëson se është koha e duhur për të filluar me reforma pa kompromis.
“Ideja e reformave është që pikërisht ky propozim të vendoset në tavolinë dhe në debat publik dhe pastaj i njëjti të shkojë në Kuvend. Nëse Qeveria lëviz në këtë drejtim që zgjidhje të kërkojë brenda këtij propozimi, ne nuk kemi asgjë kundër për të mbështetur të njëjtin propozim, por do kisha dashur të paralajmëroj se nëse diçka del jashtë kësaj kornize, ne do të kundërshtojmë ashpër dhe do të bëjmë çmos që të kundërshtojmë zgjidhjen e tyre”,- theksoi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
Nga java e ardhshme gjithashtu pritet të propozohen ide për rregullimin e ueb portaleve, të cilat në të shumtën e rasteve janë burim i shkeljeve të mëdha të standardeve gazetareske në vend.
REXHEP QAMILI
