Maqedoni
Presioni ndaj gazetarëve, APKE: Ndal presionit “psikologjik” ndaj mediave!
30.06.2017 15:44
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dënon serinë e metodave që përdoren nga politika, për të ndikuar në raportimet e mediave...

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dënon serinë e metodave që përdoren nga politika, për të ndikuar në raportimet e mediave, të cilat fillojnë prej kanosjeve fizike dhe arrestimeve, deri në frikësimin dhe shqetësimin e redaktorëve dhe gazetarëve, por edhe metodën më të përhapur, atë të presionit psikologjik që nxit vetëcensurën.
Në rezolutën e bazuar në raportin e socialistit austriak, Stefan Shennah, thuhet se rrethimi i ri digjital shkakton ndryshime të thella në industrinë mediale, që si efekt i kthen mediat në më të nënshtruara ndaj ndikimit politik. Në raportin e Shenahit përmendet edhe situata me mediat në Republikën e Maqedonisë, por më pas vendi ynë nuk u gjend në rezolutën përfundimtare.
“Në fillim të vitit 2015, Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë u godit prej një skandali të madh me përgjimet, në të cilin është implikuar edhe ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, si dhe anëtarët e kabinetit të tij, të cilët kanë kryer keqpërdorim të rëndë të pushtetit. Edhe pse janë bërë përpjekje për sjelljen e ligjeve për mbrojtjen e informatorëve nga parlamenti, kjo nuk u arrit”,- tha Shenah.
Proliferimi i mediave të reja, metodat e shfrytëzuara për zbulimin e aferave politike, zakonisht të lidhura me raste kriminale dhe me raste të korrupsionit, e vuri në pikëpyetje gatishmërinë e elitave politike për të krijuar kornizë juridike për mbrojtjen e informatorëve, thotë ai.
Deputetët bënë thirrje për transparencë më të madhe të pronarëve të kompanive mediale, si dhe miratimin e masave mbrojtëse për ruajtjen e pavarësisë së mediave, posaçërisht të Servisit Publik, si dhe ndryshimin e ligjeve të cilat mund të kenë “efekt frikësues” ndaj gazetarëve – duke i përfshirë edhe ligjet për siguri nacionale, terrorizëm dhe shpifje.
ERSAN PAJAZITI
