Maqedoni

Rasti “Sopoti”, të dënuarit: Duam drejtësi, jo premtime boshe

30.06.2017 16:51

Pas publikimit të “bombave” nga bisedat e përgjuara telefonike, në të cilat qartë zbulohet pafajsia e 11 banorëve të Sopotit...

Pas publikimit të “bombave” nga bisedat e përgjuara telefonike, në të cilat qartë zbulohet pafajsia e 11 banorëve të Sopotit, por edhe pas premtimeve se rasti do t’i kalojë PPS-së. Ata mëngjesin e sotëm kur i vizituam në Sopot shprehen të dëshpëruar dhe zhgënjyer nga mosserioziteti i kompetentëve për rastin “Sopoti”.
 
“Drejtësinë njeriu me mend në kokë e sheh, por nuk don me punu. I ngatërron punët e veta. E lehtë është kjo. Të pafajshëm jemi. Ata e dinë kush është fajtori dhe ende e lënë të punojë, me marrë në qafë ende shpirtëra të pafajshëm, me i nxjerr ende punë shtetit. Veç budallai nuk e din këtë, i mençuri e din ku qëndron puna, por ska ç’të bëjë”,- deklaroi Sulejman Sulejmani.
 
Edhe sopotasit e tjerë janë të dëshpruar dhe zhgënjyer nga premtimet e shumta, andaj apelojnë tek partitë politike që sa më me seriozitet t’i qasen këtij rasti.
 
“Në zgjedhjen e këtij problemi unë kam shumë pak shpresë. Premtime ka pasur shumë, sepse kemi dëgjuar në zgjedhje para se të bëhet kryeministër Zoran Zaevi. Ai vet ka premtuar për këto raste të montuara, siç janë “Sopoti”, “Monstra” etj, se kanë me u zbardhur. Për momentin s’ka asgjë”,- theksoi Zenel Klaiqi.
 
“Mjaft më premtime, premtime... Të gjitha dëshmitë çojnë në zbardhjen e rastit “Sopoti’. Edhe në PPS u tha se deklarata e Ramadan Bajramit është marrë me dhunë. Këshilli i prokurorëve  tetë muaj e ka mbajtur peng rastin “Sopoti”.Pas tetë muajve thotë se ne nuk jemi kompetentë për këtë rast”,- u shpreh Shabani Limani.
 
“Apeli ynë deri tek politikanët shqiptarë është sa më shpejt të zbardhet rasti. Të marrin hapa të guximshëm dhe ta zbardhin rastin. Ndryshe do të na kenë në Shkup. Tjetër rrugëdalje nuk kemi. Do t[i marrim familjet e tona, gra e fëmijë, e do të dalim para Qeverisë”,- potencoi Samet Lutfiu.
 
11 banorët e Sopotit ishin të dënuar me 145 vjet burg pas shpërthimit të një mine në fshatin Sopot, ku patën humbur jetën dy ushtarë polakë të NATO-s. Sopotasit, të cilët gjenden në arrest shtëpiak, ende e kanë për obligim që çdo dy javë të paraqiten në gjykatë. 
 
NEXHAT AQIFI