OKB: Në Siri u përdor gazi sarin
Regjimi i Assadit e ka mohuar me forcë, por hetimi i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike konfirmoi se në sulmin vdekjeprurës të 4 prillit në Siri është përdorur gaz nervor sarin...

Sulmi në qytetin Khan Sheikhoun të provincës së Idlibit shkaktoi mbi 90 të vdekur, mes të cilëve dhe gra e fëmijë, e zemërim anembanë botës me shpërndarjen e fotografive dhe videove që tregonin fëmijë duke u përpëlitur përpara kamerave në grahmat e vdekjes.
Hetimet nuk përcaktojnë se cilët janë fajtorët e ngjarjes. Përfundimet e tyre do të përdoren nga një ekip i përbashkët hetuesish të kësaj organizate dhe OKB-së për të vlerësuar se mbi kë rëndon përgjegjësia. Pas këtij sulmi, ShBA nisi sulmin e parë të drejtpërdrejtë amerikan mbi qeverinë siriane.
Assad nuk pranon të ketë përdorur armë kimike dhe aleati i tij, presidenti rus Vladimir Putin, e cilësoi më herët këtë muaj sulmin si “provokim” të organizuar nga njerëz që donin të fajësonin kreun e regjimit sirian për ngjarjen e rëndë.
