Maqedoni
“Monstra”, familjarët: Jemi të zhgënjyer nga PPS-ja
30.06.2017 17:44
Familjarët e të akuzuarve në rastin “Monstra” janë tejet të zhgënjyer nga puna e Prokurorisë Speciale lidhur me rastin në fjalë...

PPS ishte e vetmja shpresë për instalimin e drejtësisë në vend, duke filluar me procesimin e lëndëve që dolën nga publikimi i përgjimeve të paligjshme. “Tani nuk e dimë se ku të orientohemi”,- shprehet familjari, Bedri Ajdari.
“Pres konferenca në zyrat e PPS-së kam menduar se do të japë një rezyme më të zgjeruar në lidhje me këtë rast, kjo nuk ndodhi, unë mendova se do të bëhet një sqarim i hollësishëm dhe do t’i ndajnë përgjegjësitë se kush po bën ngatërresën e këtyre rrethanave, a i ka fajet Prokuroria, Parlamenti apo partitë politike, mendova se do të sqarohet, por shumë shpejt e përmbylli dhe për ne ky nuk ishte një moment i kënaqshëm, apo ajo që e kemi pritur. Ne tani jemi në pritje, kemi ngelur në det të hapur pa ndonjë busull ku mund të orientohemi”,- deklaroi familjari, Bedri Ajdari.
Bedri Ajdari theksoi se PPS e sheh të arsyeshme të merret me raste më pak të rëndësishme, ndërsa zvarrit raste të një interesi të veçantë për shqiptaret, raste me të cilat Zoran Zaevi e fitoi elektoratin shqiptar.
“Deri dje kemi pasur për çfarë të presim, më tutje ose unë e kam humbur logjikën ose këta nuk e bëjnë punën e vet, më ngelet vetëm se të apeloj te Këshilli i Gjykatës Supreme ta rishqyrtojë caktimin e datës për 12 shtator, ta bëj të hënën dhe le të mbarojë më një herë e përgjithmonë, mos të presim, ne nuk dimë deri kur të presim. Nga ajo që vërejtëm ne te PPS, akoma ka dyshime se a do ta marrë rastin në shqyrtim, apo ka elemente për ta marrë. Do të ishte shumë korrekte sikur të thoshte nuk ka elemente për ta marrë, apo të thotë se ju ka gënjyer kryeministri i tanishëm para elektoratit”,- u shpreh familjari, Bedri Ajdari.
Ajdari njoftoi se nuk përjashtohet mundësia për protesta me qëllim zbardhjen dhe marrjen me seriozitet të rastit.
Ndryshe, dje PPS përfundoi mandatin 18 mujor për ngritje të aktakuzave nga rastet kriminele që dalin nga përgjimet pa asnjë rast me interes të veçantë për shqiptarët.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
