Maqedoni

Protestojnë mbështetësit e VMRO-së, PPS pret vendimin e gjykatës për paraburgimet

30.06.2017 17:51

Përderisa PPS-ja u drejtua për në Gjykatë për t’i dorëzuar materialet plotësuese për aktakuzat e rastit “Target” dhe “Titaniku”...

Përderisa PPS-ja u drejtua për në Gjykatë për t’i dorëzuar materialet plotësuese për aktakuzat e rastit “Target” dhe “Titaniku”, dhjetëra mbështetës të VMRO-DPMNE-së protestuan para Gjykatës Penale.
 
Kjo gjykatë duhet të vendosë për kërkesat për paraburgim që ka kërkuar PPS-ja ditën e djeshme, për ish-kryeministrin, Nikolla Gruevski, dhe anëtarë të tjerë të kësaj partie. Protestuesit thonë se Prokuroria Speciale po vepron në mënyrë selektive. 
 
“Është sulm direkt mbi partinë. Në 11 vitet e qeverisjes, VMRO-DPMNE nuk ishte vetëm në koalicion, kishte edhe tjera parti. PPS-ja sjell aktakuza vetëm për VMRO-në, të tjerët qenkan të pastër si kristali. E kishim rastin për Zaevin ku akuzohet për ryshfet, por jo, ato ishin biseda të montuara. Dua drejtësi, por jo drejtësi selektive”,- tha një protestues.
 
Prokurorja, Katica Janeva, protestën e mbështetësve te VMRO-DPMNE-së e shef si protestë ndaj Gjykatës e jo të Prokurorisë Speciale. Ndërsa ajo pret nga Gjykata që të veprojnë në mënyrë profesionale dhe të pavarur. 
 
“Unë pres që Gjykata në mënyrë profesionale ta kryej obligimin e vet, në mënyrë të paanshme dhe në pajtueshmëri me ligjin. Ndërsa ne si Prokurori Speciale do t’i shfrytëzojmë të gjitha instrumentet ligjore që të hyjmë në gjykatë dhe të paraqesim faktet dhe dëshmitë tona lidhur me të akuzuarit në rastet tona”,- tha prokurorja speciale, Katica Janeva.  
 
Nga Gjykata Themelore Shkupi 1 njoftojnë  se po bëjnë përpjekje për tu përgjigjur në kohën e parashikuar me ligj ndaj kërkesave të Prokurorisë Speciale Publike.
 
“Duke pasur parasysh numrin e propozimeve dhe personave të përfshirë si dhe materialin e prezantuar me propozimet, gjykatësit të cilët veprojnë në këshillat po bëjnë përpjekje që të sjellin vendime në afatin e paraparë ligjor. Por, duke pasur parasysh faktin se pas sjelljes së vendimeve për të njëjtat vendime duhet të përpunohet me shkrim dhe dërguar deri tek palët në procedurë, pas përfundimit të procedurës, për të cilën nuk mund të parashikohet se sa kohë mund të zgjasë, opinioni menjëherë do të informohet për vendimet që kanë sjellë këshillat penal”,- thonë nga Gjykata Penale. 
 
VMRO-DPMNE sërish ka reaguar, duke theksuar se qëllimi i PPS-së është eliminimi i VMRO-DPMNE-së.
 
“PPS po udhëheq një proces, qëllimi i të cilit është politik dhe jo juridik, dhe pa pasur fakte po akuzohet një parti e tërë. 100 persona nga trupat kryesorë të VMRO-DPMNE-së janë politikisht të akuzuar pa pasur prova. PSP është shndërruar në zyre e LSD-së”,- thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
 
Prokuroria Publike Speciale dorëzoi 17 aktakuza, ndërsa kërkoi paraburgim për 18 persona. Në të gjitha lëndët e PPS-së që fillojnë me shkronjën “T” janë të akuzuar gjithsej 94 persona.  
 
SANIJE DURAKU