Maqedoni
Fillojnë ndryshimet në MPB, Drejtoria e Pestë me drejtor të ri
30.06.2017 18:05
MPB filloi ndryshimet kuadrovike në pozicionet udhëheqëse...

Sasho Trajkovski do të jetë drejtuesi i ri i Drejtorisë së Pestë në DSK. Aktualisht ai ka qenë i punësuar në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, si inxhinier, por tani i duhet t’i ndërmarrë reformat e premtuara rreth vendosjes së kontrollit mbi këtë drejtori.
“Bombat” e opozitës treguan se përgjimet e paligjshme janë bërë pikërisht nga njerëzit e Drejtorisë së Pestë, e që janë pjesë e akuzave të PPS-së në rastet “Target” dhe “Fortesa”, në të cilat drejtuesit e kësaj drejtorie akuzohen për keqpërdorim të detyrës dhe aparaturës zyrtare dhe për një dëm prej 10 milion eurosh që i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit. Nga funksioni është shkarkuar edhe ndihmësministrja për kontroll të brendshëm, Aneta Stancevska.
Ajo shkoi në pushim mjekësor më 3 maj, në kohën kur sektori që drejtonte duhej të verifikonte përgjegjësinë dhe lëshimet e forcave të MPB-së në ngjarjet e 27 prillit në Kuvend. Dejan Andonov është emëruar në vend të saj. Marjan Navkoski është shkarkuar nga posti i drejtuesit të policisë kriminale. Në vend të tij është emëruar Marjan Kocev, këshilltar në kabinetin e ministrit Spasovski.
Të hënën pritet të shkarkohen edhe drejtuesit e SPB-së së Shkupit, Kumanovës, Velesit dhe Manastirit, si dhe të sektorit për ndërhyrje të shpejtë dhe njësitit “Tigrat”, thonë nga MPB.
NAIM RAMADANI
