Maqedoni
“Pavel Shatev” me tribunë kundër PPS-së
30.06.2017 18:14
Ish-ministri i Drejtësisë nga radhët e VMRO DPMNE-së, Mihajllo Manevski, dhe analistë të afërt me këtë parti akuzuan PPS-në, si prokurori njëpartiake që punon në favor të qeverisë aktuale...

Në një tribunë të organizuar nga Organizata “Pavel Shatev”, Mihajllo Manevski tha se me ngritjen e 17 akuzave për 18 lëndë kundër 94 personave fizikë, kryesisht zyrtarë të lartë të VMRO-DPMNE-së, Janeva ka realizuar urdhëresat e urdhërdhënësve.
“S’ka ndodhur padrejtësi më e madhe në Maqedoni nga ajo që e dëgjuam dje. E gjitha është drejtuar kundër një partie. Të kishte të paktën një të akuzuar nga BDI, LSDM ose ndonjë parti tjetër do të thosha që ka qasje objektive ndaj të gjithë pjesëmarrësve, por këtu fokusi është vetëm ndaj një partie”,- deklaroi ish-ministri i drejtësisë, Mihajllo Manevski.
Mirëpo, gazetari, Cvetin Cilimanov, edhe pse në vlerësimet për PPS-në është në një vijë me ish-ministrin Manevski, thotë se kjo prokurori hetime ka pasur edhe për zyrtarë të BDI-së.
“Të gjithë e dimë, u publikua edhe në media, se funksionarë të lartë të BDI-së, përfshirë edhe, të paktën, një anëtar të qeverisë aktuale të kryesuar nga Zoran Zaev, janë në hetime të PPS-së. Edhe pse prokurori njëpartiake sërish nuk ka mundur të mos nis hetime kundër anëtarëve të BDI-së”,- tha gazetari, Cvetin Cilimanov.
Përderisa gazetari, Cilimanov, njihet për qëndrimet e tij kundër LSDM-së dhe ndërmjetësuesve ndërkombëtarë për tejkalimin e krizës politike, emri i ish-ministrit Manevski dhe emri i të shoqes, Filomena Manevska, përmendet edhe në përgjimet e paligjshme.
Prokurorja Speciale një ditë para skadimit të afatit paraqiti 17 akuza për 18 lëndë kundër 94 personave fizikë dhe 7 personave juridikë. Prokurorja, Katica Janeva, tha se pret që lëndët të merren nga gjykatat me procedurë urgjente dhe të vendosin në afat prej 24 orësh.
Janeva tha se është e bindur se në procedura penale do të dëshmojmë se të akuzuarit i kanë bërë veprat penale që ngarkohen në aktakuza.
SHPËTIM NUREDINI
