Maqedoni

Këshilli socio–ekonomik diskutoi ndryshimet e Ligjit për pushimin e lindjes

30.06.2017 18:29

Ligji për marrëdhënie pune në pjesën e ndryshimeve për pushimin e lindjes, Strategjia kombëtare për sigurinë dhe shëndetin në punë...

Ligji për marrëdhënie pune në pjesën e ndryshimeve për pushimin e lindjes, Strategjia kombëtare për sigurinë dhe shëndetin në punë, si dhe Raporti i Këshillit socio-ekonomik të Ballkanit perëndimor ku ka rekomandime për përmirësimin e punës së këtyre këshillave në rajon, ishin tema diskutimi në seancën e sotme të Këshillit socio-ekonomik dhe social.
 
Seancën demonstrativisht e lëshuan dy përfaqësues të Konfederatës së sindikatave të lira dhe një përfaqësues nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, por me gjithë këtë diskutimi vazhdoi.
 
“I ftojmë të gjithë ata që për momentin kanë dilemë se si të zhvillohet debati në të gjitha bazat për të cilat do të diskutohet në seanca, të afrohen drejt nesh për të diskutuar dhe bashkërisht të diskutojmë dhe të marrim vendime sepse vetëm me konstruktivitet mund të avancojmë të drejtat e punëtorëve në Maqedoni”,- deklaroi ministrja e PPS-së, Mila Caneska. 
 
Edhe pse formalisht Lidhja e Sindikatave të Energjetikës sipas rregullores sot nuk do të ketë mundësi të marrë vendim, punëdhënësit kanë ngelur në mbledhje sepse konsiderojnë që dialogu dhe diskutimi lidhur me këto çështje duhet të zhvillohet pavarësisht nga formaliteti. 
 
“Në thelb dialogu social nuk është dialog formal. Bëhet fjalë për organ që i jep këshilla Qeverisë për çështje të caktuara socio-ekonomike. Për të formalitetet nuk janë aq të rëndësishme, sa është e rëndësishme esenca dhe mirëkuptimi i ndërsjellët dhe sa Qeveria do të ketë sens se dialogu social është i nevojshëm”,- theksoi Angel Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve. 
 
“Duhet të merret pjesë nëpër takime të tilla, që të zhvillohen diskutime kontribuuese. Mendimet e ndryshme janë demokratike. Në këtë takim të LSE-së u dëshmua se ka hapësirë për diskutim rreth realizimit të asaj që është premtuar. Besojmë se për një kohë të shkurtër do të jepen rezultatet e para, që do të jenë pozitive lidhur me të drejtat e punëtorëve në Maqedoni”,- u shpreh përfaqësuesi i Sindikatës për Energjetikë, Robert Simonovski.
 
Nga Organizata e Punëdhënësve thonë se Marrëveshja e përgjithshme kolektive në ekonominë e Maqedonisë skadon gjatë muajit korrik, në bazë të nenit 228 të Ligjit për marrëdhënie pune, nëse asnjëra prej të dyja palëve nuk kërkon ndërprerje ose rinegocim, dispozitat e tij vazhdojnë të vlejnë edhe më tej.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU