Këshilli penal refuzon kërkesën e PSP-së, nuk ka paraburgim për zyrtarët e VMRO- së
Gjykata Themelore Shkup 1, ka bërë të ditur se nuk është pranuar asnjë nga kërkesat e PSP-së

Gjykata Themelore Shkup 1, ka bërë të ditur se nuk është pranuar asnjë nga kërkesat e PSP-së për paraburgim, të zyrtarëve të lartë të VMRO-DPMNE-së të akuzuar për veprat e ndryshme penale që dalin nga përgjimet.
Vendime janë sjellur për të gjitha akuzat përveç dy akuzat e fundit që janë dorëzuar mbrëmjen e së premtes në ora 21:40, që kanë të bëjnë me lëndën “Titanik”, “Target” dhe “Fortesa”.
“Dy aktakuzat tanimë janë ndarë për vlerësim, në përputhje me sistemin elektronik të udhëheqjes së lëndëve, te gjykatësit Ivica Stefanovski dhe Goran Boshevski, ndërsa meqë për të dyja lëndët, deri te gjykata është parashtruar propozium për caktimin e masës për sigurimin e pranisë, lëndët u janë dorëzuar Këshillave Penal të cilët duhet të vendosin për kërkesat e tilla”, njofton Gjykata Themelore Shkup 1.
Në këto raste të dyshuar janë lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski dhe ish drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijallkov. Në këto lëndë PSP kërkoi paraburgim për Gruevskin dhe Mijallkovin.
Gjykata Themelore Shkupi 1, nuk ka marrë masë paraburgimi ndaj ish-ministres së Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska, ish-zëvendëskryeministri Vladimir Peshevski dhe kryetarin ne Komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski, të cilët janë të akuzuar në rastet “Tarifa”, “Thesari” “Titanik”, “Toplik”, “Tenderi” dhe “TNT”. Gjykatësit për 24 të akuzar kanë vendosur vetëm masën e konfiskimit të pasaportave dhe obligimin për paraqitjen në gjykatë çdo javë. Lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale për arrestimin e liderit të VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski dhe funksionarëve të tjerë të lartë, kanë reaguar nga partia e Gruevskit.
VMRO-DPNE i bëri thirrje Gjykatës së Apelit që “të mos dorëzohet para presioneve dhe kërcënimeve” dhe të zbatojnë ligjet dhe Kushtetutën e vendit. “Ajo që po ndodh në PSP nuk ka absolutisht asgjë të bëjë me të drejtën, por është e lidhur ekskluzivisht me interesat politike të strukturave të caktuara”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.
Ndërkohë ish kryeminsitri Nikolla Gruevski, i cili aktualisht është deputet ka kërkuar nga Komisioni i Kuvendit për çështje të mandatit dhe imunitetit ti hiqet imuniteti si deputet. Por kryeparlamentari Talat Xhaferi ka bërë të ditur se një kërkesë e tillë është bërë në adresën e gabuar dhe nëse Gruevski me të vërtetë dëshiron të heq dorë nga imuniteti, kërkesa duhet ti drejtohet kryetarit të Kuvendit.
Prokuroria Speciale të enjten njoftoi se ndaj 94 personave ka ngritur aktakuza për shpërdorim detyre, mashtrime zgjedhore, kurdisje tenderësh, keqpërdorime financiare, dhunë ndaj kundërshtarëve politikë, ndërhyrje në gjyqësor, presione ndaj medieve. Ata kërkojnë paraburgim për 18 persona dhe masë kujdesi për gjithësej 47 të tjerë të cilët akuzohen në bazë të audioincizimet të përgjuara.
Pas refuzimit të kërkesës për paraburgim, Prokuroria Speciale ka paralajmëruar ankesë. Nga PSP thonë se ankesa do të bëhet të hënën. (Rexhep Qamili, TVM2)
