Xhemail Musliu kërkon ndihmën tonë, 90 vjeçari jeton në Tanushë, në mëshirë të fatit
Jo të gjithë kanë fatin t’i gëzohen ngrohtësisë së familjes...

Jo të gjithë kanë fatin t’i gëzohen ngrohtësisë së familjes, ku përjeton dashurinë sa herë që ke nevojë për të.
Pa këtë dashuri, pa asnjë përkrahje e mbështetje, në Tanushë jeton Xhemal Musliu. Atij nuk ka kush i sjell asnjë gotë ujë në shtrat, pleqërinë po e jeton i vetëm, pa përkujdesje të askujt.
Ka raste që nuk ngrihet dot nga shtrati me ditë të tëra për shkak të shëndetit të ligë. Duart që i dridhen, nuk kanë mundësi ti mbajnë shpesh as shkopin, pa të cilin nuk lëviz dot. Tregon plot dhimbje vuajtjen e tij për TVM 2, me shpresën se dikush do ta ndihmojë.
“Askush nuk kujdeset për mua, kujdesem sa mundem vet për vetën, ashtu e kaloj jetën” – tha Xhemail Musliu.
Pjesë e pandashme e jetës së tij, ka qenë varfëria. Ai gjithë jetën ka kultivuar patate, dhe me prodhimet e tij ka ndihmuar cdokënd që ka pasur nevojë. Për shumë banorë të zonës, Xhemaili ka qenë më shumë se vëlla, pasi jo vetëm që i ka ndihmuar por ua ka ruajtur edhe të mbjellat me të cilat mbanin gjallë familjen. Por tani ai nuk ka më askënd, as për një fjalë të mirë, e as për një copë bukë .
“Nuk kam çfare të ha, bukën thatë e ha, kam pasur çdo herë fukarallëk, gjithë jetën e kam kaluar në fshatin Tanushë” – tha Xhemail Musliu.
Nëse e pyet sa vjet i ka, të përgjigjet menjëherë 100. Por fshatarët thonë se plaku xhem, sic e thëresin, është 90 vjecar dhe është banori më i vjetër i fshatit.
Duket se lodhja ka bërë të vetën, dhe ai ndjehet më plak se ç’është në të vërtetë. Thotë se shpirti do edhe kur je në këmbë edhe kur dergjesh në shtrat.
Xhemaili dikur ka qenë burrë i fortë dhe puntor, madje me mburrje tregon se dimrit ecte zbathur edh në dëborë. Sot edhe pse ka po të njejtin vullnet, fuqia e ka lënë. Edhe kur ka nevojë për mjek, e dërgojnë fqinjët.
Këmbët nuk e mbajnë dot më. Kërkon ndihmën tonë, për të kaluar me dinjitet ditët e mbetura nga jeta e gjatë dhe e mundimshme. (Rina Turkeshi, TVM2)
