MONSTRA

“Zgjohu!” kërkon shkarkimin e Geshkovskës

04.06.2014 16:54

Lëvizja qytetare “Zgjohu!” ka dorëzuar kërkesë zyrtare deri te Këshilli Republikan i Prokurorisë për ngritje të procedurës për përgjegjësi ndaj prokurores Gordana Geshkovska, e cila është e angazhuar për rastin “Monstra”…………

Lëvizja qytetare “Zgjohu!” ka dorëzuar kërkesë zyrtare deri te Këshilli Republikan i Prokurorisë për ngritje të procedurës për përgjegjësi ndaj prokurores Gordana Geshkovska, e cila është e angazhuar për rastin “Monstra”.

Fjalët përmbyllëse të prokurores Geshkovska ishin të pabazuara në fakte dhe nxisin urrejtje midis dy komuniteteve më të mëdha etnike dhe fetare në vend, si dhe krijojnë përshtypje të gabuar të fajit në bazë të paramendimeve dhe jo dëshmive. Nga  “Zgjohu!” kërkojnë shkarkimin dhe sanksionimin e prokurores Geshkovska. Ata u bënë thirrje edhe organizatave të huaja, të mbikëqyrin procesin deri në fund.   

“”Zgjohu!” konsideron se në fjalët përmbaruese prokurorja i ka shpalosur qëndrimet e saja duke mos u bazuar në fakte dhe prova, por vetëm në perceptimet e saja. Prokurorja Geshkovska fjalët e saja përfundimtare i kishte përplot me paragjykime dhe fjalë boshe, me çka mendojmë se ka tejkaluar normat e parapara juridike dhe ka keqpërdorur pozitën e saj. E ftojmë Këshillin e Prokurorëve që urgjentisht ta shqyrtojnë punën e prokurores Geshkovska gjatë tërë këtij procesi të lartpërmendur dhe në rast të konstatimit të parregullsisë ose keqpërdorimit edhe më të vogël, ta shkarkojë të njëjtën dhe të ndërmerr të gjitha sanksionet e parapara me dispozitat ligjore”, - u tha nga lëvizja qytetare “Zgjohu!”.

Familjarët e të akuzuarve përshëndesin këtë iniciativë dhe kërkojnë shkarkimin e prokurores dhe lirimin e menjëhershëm të të akuzuarve.

“Në këtë shtet jo demokratik nuk dihet se çka mund të vendos askush përveç Geshkovskës, e cila ka sjellë një vendim shumë të keq për ata të akuzuar që janë, ne e dimë që ata nuk kanë pikë faji, por po merren dy vite e tepër nëpër burgje. Nuk ka fakte, nuk ka asgjë. Ky shtet duhet një herë të kontrollojë veten, pastaj të tjerët”, u shpreh familjari Aqif Luta.

"Që në fillim u tha se kemi argumente dhe material të fortë, por Prokuroria e dëshmoi këtë se gjatë gjithë kohës ka manipuluar edhe me viktimat edhe me të akuzuarit, duke e devijuar hetuesin në një kahje tjetër, mbulimin e fakteve. Ne jemi të pakënaqur me rastin dhe kërkojmë lirimin e të akuzuarve menjëherë”, theksoi familjari Bedri Ajdari.

“Prokurorja Gordana Geshkovska menjëherë duhet të shkarkohet nga detyra e prokurores publike. Ajo asgjë nuk dha atë ditë në fjalët e fundit, por dha vetëm nxitje urrejtjeje, ajo nuk i ngjake një prokurores publike, por një demonstrate huligane sikur në Gjorçe dhe vende të tjera, mllef dhe urrejtje ndaj shqiptarëve”, - potencoi familjari Safet Aziri.

Ditë më parë lidhur me fjalët e fundit të prokurores Geshkovska reaguan edhe shumë ekspert dhe njohës të çështjeve juridike. Fjalët përfundimtare për rastin “Monstra” nesër do t’i ketë pala mbrojtëse. (Florije Kamberi, TVM2)