Maqedoni

Kryeparlamentari Xhaferi në Podgoricë: Marrdhëniet e mira, kontribut për paqe në rajon

03.07.2017 12:57

Me ceremonitë më larta shtetërore, Podgorica priti Delegacioni i Kuvendit të RM-së, i kryesuar nga kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi...

Kjo është vizita e parë zyrtare në Mal të Zi e kryeparlamentarit Xheferi, por edhe vizita e parë zyrtare jashtë vendi. Delegacioni i Kuvendit të RM-së, i kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në përbërjen e të cilit janë edhe deputetët Xhevat Ademi nga BDI dhe Maksim Dimitrievski nga LSDM, realizuan takim me kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Ivan Brajoviq.
 
Dy homologët u pajtuan se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë miqësore dhe në këto korniza është edhe bashkëpunimi mes parlamenteve të vendeve përkatëse. Maqedonia dhe Mali i Zi nuk kanë cështje të hapura dypalëshë, tipike për vendet e Ballkanit.
 
“Marrëdhëniet e mira mes dy vendeve kontribuojnë në stabilitetin e tërësishëm të rajonit dhe në prspektivën euroatlatntike të rajonit.”-konstatuan dy bashkëbiseduesit.
 
Mali i Zi si vend anëtar i NATO-s dhe shtet fqinj, që është një hap më përpara në procesin e integrimit në BE, mund të ndajë përvojat e tij dhe të ndihmojë në përshpejtimin e procesit eurointegrues të Maqedonisë.
 
Dy bashkëbiseduesit vlerësuan se marrëdhëniet e mira mes dy vendeve mund të thellohen edhe më shumë në sferën e ekonomisë. Vënia e linjave të regullta ajrore mes dy vendeve konsiderohet si nevojë për qytetarët e të dy vendeve.        
  
Gjatë vizitës në Podgoricë, Xhaferi do të pritet edhe nga zëv/kryeministri malazez, Zoran Pozhanin dhe nga presidenti i shtetit Filip Vujanoviq. Vizita zyrtare do të përmbyllet nesër me takimin te kryetari i Komunës Ulqin, Nazif Cungu. 
 
Në vitin 2005 Maqedonia, konsiderohej ‘lider rajonal’ në procesin eurointegrues, në atë kohë Mali i Zi ende nuk ishte pavarësuar nga mbetja e Federatës Jugosllave, por menjëherë pas pavarësimit procesi eurointegrues i Malit të Zi pati një dinamikë marramendëse. Nga mëvetësimi, në vitin 2006, brenda një dekade Mali i Zi hapi negociatat për anëtarësim në BE dhe në qershor të këtij viti u bë anëtarja e 29-të e NATO-s.
 
SHPËTIM NUREDINI