Maqedoni
Ligji për krahasim të lartësisë së dënimeve, ekspertët: Antikushtetues, kufizon gjykatësit
03.07.2017 13:34
Ligji për krahasim të llojit dhe lartësisë së dënimit cenon parimin e ndarjes së pushtetit të paraparë me Kushtetutë...

Ligji për krahasim të llojit dhe lartësisë së dënimit cenon parimin e ndarjes së pushtetit të paraparë me Kushtetutë, pasi i mundëson ligjdhënësit të ndikojë duke shkaktuar kontradikta në legjislativën penale.
Ky është konstatimi i ekspertëve në analizën juridike të ligjit aktual. Sipas tyre, ka pasur një iniciativë që ligji të mos sillet që në fillim, pasi i njëjti është antikushtetues. Ekspertët konstatojnë se ky ligj ka rënduar punën në përgjithësi të gjykatësve të cilët nuk kanë pasur pavarësi në marrjen e vendimeve, por janë bazuar në skemat e të dhënave krahasuese e jo në bazë të dëshmive.
“Për fat të keq qytetarët i kanë ndjerë pasojat nga ky ligj, ndërsa gjykatësit ishin të kufizuar. Gjykatësi nuk ka nevojë të analizojë aktualisht ngaqë ai ka gjithë atë skemë, ku është këtu individualizmi në sanksione, subjektiviteti apo faktet e rastit”,- deklaroi gjykatësja, Gordana Lazhetiq - Buzharovska.
“Unë jam thellë i bindur që për një kohë shumë te shkurtër do të ndryshojnë kapacitetet intelektuale të gjykatësve dhe gjykatësit do të kuptojnë se nga ata varet sundimi i së drejtës, realizimi i të drejtave dhe lirive të njeriut dhe në fund demokracia e Republikës së Maqedonisë”,- tha gjykatësi, Llazar Nanev.
Që nga viti 2005, ky ligj është hequr nga përdorimi në ShBA, 10 vite më pas Maqedonia solli ligjin duke e arsyetuar si të domosdoshëm. Gjatë realizimit të këtij projekti që ka filluar nga viti i kaluar, janë analizuar 200 aktvendime në tërë territorin e vendit, të cilat kanë qenë target nga përzgjedhja rastësore nga ueb sajtet e gjykatave të Maqedonisë.
LUMTURIE HAJRO
