Botë

Kinë, shpërthen tubacioni i gazit, 8 të vdekur dhe 35 të lënduar

03.07.2017 14:07

Të paktën 8 persona kanë vdekur dhe 35 janë lënduar pas shpërthimit të një tubacioni gazi natyror në provincën Guizhou të Kinës...

Shpërthimi detyroi autoritetet të evakuojnë tërësisht fshatrat aty pranë. Ekipet e zjarrfikësve për orë të tëra u munduan të eleminojnë defektin duke izoluar pjesën e shpërthyer të gypit. Shkaku i incidentit duket se janë shirat e fuqishëm të javëve të fundit që shkaktuan rrëshqitje masive dheu mbi tubacionet përcjellëse të gazit.
 
Shirat nuk kanë shkaktuar probleme vetëm në këtë zonë të Kinës.
 
Shtatë të vdekur dhe tre të zhdukur është bilanci aktual i viktimave nga moti i lig vetëm gjatë fundjavës. 310 mijë njerëz janë evakuuar pasi shtëpitë e tyre janë mbuluar nga uji. Ujërat e lumenjve kanë kapërcyer vijën e kuqe të rrezikut. Të ngujuarit në zonat e përmbytura po shpëtohen me varka. Në disa zona, reshjet e shiut arritën në 80 mililitra të shoqëruara me erëra të fuqishme që arritën shpejtësinë prej 60 km në orë.   
 
ARLINDA BAFTIU