Maqedoni

Kontesti për emrin, Nimic: Ekziston vullnet serioz për çështjen

03.07.2017 16:09

Methju Nimic, përfaqësuesi special i KB-së për ndërmjetësim midis Maqedonisë dhe Greqisë lidhur me çështjen e emrit, i cili ndodhet në Shkup...

Methju Nimic, përfaqësuesi special i KB-së për ndërmjetësim midis Maqedonisë dhe Greqisë lidhur me çështjen e emrit, i cili ndodhet në Shkup, tha se nuk ka sjellë propozim konkret për çështjen e emrit. Kemi folur për intensifikimin e marrëdhënieve midis dy palëve për ta zgjidhur këtë çështje, tha ai pas takimit me kreun e Qeverisë, Zoran Zaev, dhe ministrin i Jashtëm, Nikolla Dimitrov.
 
“Ka interesim dhe vullnet serioz për të menduar për këtë çështje. Për ta zgjidhur këtë problem duhet të kemi përparim nga të dyja palët të cilat duhet të mendojnë seriozisht për pozitat e tyre dhe të dëgjojnë me kujdes njëri-tjetrin. Jam i gëzuar që kryeministri dhe ministri janë mendjehapur dhe të hapur për këtë çështje. Le të shohim se si do të rrjedhin zhvillimet më tutje. Nuk kemi folur për propozime konkrete të konceptit të ri për emrin. Qeveria nuk shtroi ndonjë pikëpamje të posaçme, por folëm për shpeshtim të marrëdhënieve mes dy palëve”,- deklaroi  ndërmjetësuesi për emrin, Metju Nimic.
 
Edhe nga Qeveria e Maqedonisë njoftojnë se në takim është folur për mundësinë e përfarimit të bisedimeve mes dy palëve.
 
“Unë dhe Qeveria e Maqedonisë jemi të ndarë drejt hapave që i zgjidhin problemet e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Për atë udhëheqim politikë gjithëpërfshirëse dhe kështu do të jetë edhe me zgjidhjen e kësaj çështje, që e udhëheqim në mënyrë transparente, dhe jo në mënyrë të mbyllur sikur tani. Vetëm nëpërmjet konsensusit shtetëror, me opozitën, me Parlamentin, me presidentin e shtetit dhe me qytetarët e Republikës së Maqedonisë mund të zgjidhet kjo çështje”,- citohet të ketë thënë Zaevi. 
 
Nimic e ka takuar edhe kreun e BDI-së, Ali Ahmetin. Ky i fundit pas takimit tha se do të angazhohen në gjetjen e një zgjidhjeje, por sipas tij do të varet nga vetë aktorët politikë për ta arritur këtë.
 
“Sigurova Nimicin që ne do të kontribuojmë, do të punojmë që sa më parë të gjendet një zgjidhje, një kompromis. Është shumë me rëndësi zgjidhja e këtij problemi që gati mbi 20 vite nuk gjen rrugë për zgjidhje përfundimtare. Është dhe një mesazh për qytetarët e Maqedonisë vetë vizita e z. Nimic, që do të thotë që çështja e këtij problemi është në agjendë të rëndësishme për zgjidhje përfundimtare. Tash varet nga të gjithë aktorët politikë se sa do të realizojnë atë dhe do të gjejnë zgjidhje përfundimtare”,- u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Nga ana tjetër, Nimic tha se nga Ahmeti ka pranuar mendime të mençura për të menduar si të ketë përparim në këtë mision. Sipas negociatorit Nimic, në afat të shkurtë nuk pritet ndonjë ndryshim dramatik rreth çështjes së emrit, ndërsa vizita e tij në Shkup ka për qëllim intensifikimin e bisedimeve dhe zgjidhjen e këtij kontesti shumëvjeçar midis dy vendeve. 
 
NAIM RAMADANI