SHKUP-BLLACË

Autostrada Shkup–Bllacë, pranë realizimit

04.06.2014 17:07

Qeveria e Kosovës ka gati për nënshkrim kontratën për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit……..

Qeveria e Kosovës ka gati për nënshkrim kontratën për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit.

Tashmë Kosova ka zgjedhur edhe kompaninë kontraktuese të kësaj rruge të rëndësishme, si dhe janë përfunduar të gjitha procedurat. E derisa nga pala kosovare rruga është tashmë në fillim të realizimit, Maqedonia ende është në procesin e shpalljes së thirrjes publike për koncesionin e autostradës Shkup-Bllacë.

Zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Xhelal Bajrami, thotë se procedurat e deritanishme janë vonuar për shkak të zgjedhjeve, por do të përfundojnë shumë shpejt, sepse ky aks rrugor tashmë është përfshirë në projeksionin ekonomik të BDI-së.

“Menjëherë pas konstituimit të Qeverisë së re për koncesionim të asaj   autostrade, d.m.th. nga qarkorja deri në kufi, të gjitha prognozat e IFC-së flasin se do të ketë të interesuar, subjekte për ndërtimin e autostradës dhe mos të harrojmë se thirrja do të bëhet për dy autostrada nga qarkorja deri në kufi me Kosovën dhe pjesa tjetër do të jetë nga qyteti i Gostivarit deri në qytetin e Kërçovës, sepse e dini se ajo pjesë e atij korridori do të mbetet vetëm pjesa prej Gostivarit deri në Kërçovë, sepse pjesa tjetër prej Kërçovës deri në Strugë ka filluar dhe po punohet në ndërtimin e asaj autostrade”, deklaroi zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Xhelal Bajrami.

Bajrami thotë se vazhdojnë bisedimet me palën kosovare, me qëllim që përfundimi i ndërtimeve të autostradës Shkup-Prishtinë të përfundojë në të njëjtën kohë.

“Përpjekjet dhe bisedimet bëhen në atë drejtim që kur të përfundojnë ndërtimi i autostradës nga Prishtina deri ne Han të Elezit, përafërsisht të përfundojë edhe nga pjesa jonë, d.m.th. nga qarkorja deri në kufi me Kosovën, me të vetmin qëllim që kur të lëshohet e njëjta të jetë funksionale nga të dyja anët e kufirit”, tha më pas Bajrami.

Aksi rrugor është me gjatësi prej 13 kilometrave dhe paraqet pjesën kryesore të rrugës Shkup–Prishtinë. Vlera totale e projektit parashihet të jetë rreth 69 milion euro. Kosova do të ndërtojë rrugën e cila në anën e saj do të jetë me gjatësi prej 55 kilometrash. (Besim Abdullai, TVM2)