Rasti “Monstra” dhe brutaliteti policor, përplasje Avokati i Popullit dhe VMRO-DPMNE

03.07.2017 17:04

Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, konstatoi raste të shumta të brutalitetit policor...

Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, konstatoi raste të shumta të brutalitetit policor dhe kërkoi që t’i mundësohet kontroll i jashtëm i punës së policisë.

Sipas tij, ky kontroll duhet të ushtrohet me ndihmën e sektorit joqeveritar. Por, ky propozim nuk është i pranueshëm as nga shumica dhe opozita të cilat kërkojnë zgjedhjen e ombdusmanit policor.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski, adresoi disa kritika ndaj Avokatit të Popullit. Sipas tij, Memeti duhet të ketë përgjegjësi për dështimin në udhëheqje të këtij institucioni dhe të sqarojë se a ka kërkuar nga PPS-ja që të marrë materialet për rastin “Monstra” dhe t’i konfirmojë apo demantojë dyshimet e tij që ia ka paraqitur opinionit.

“A ka tentuar që të ketë kontakt me Prokurorinë e Katica Janevës dhe t’i marrë materialet për rastin “Monstra” dhe me vetë atë t’i konfirmojë ose t’i demantojë dyshimet e tij për këtë rast, por edhe të mos kemi abuzim për lëndime të ndjenjave njerëzore ose ndërfetare kur jepen deklarata për raste të tilla të ndjeshme”,- tha Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.

Në replikën e tij, avokati i popullit, Ixhet Memeti, tha se për këtë rast janë zhvilluar disa hetime dhe është konstatuar brutalitet nga policia ndaj të arrestuarve të rastit “Monstra”.

“Pas 10 ditësh i kemi gjetur në burgun e Manastirit me shenja në trup, dokumentet e tilla i kam mbledhur dhe i kam dërguar deri te Prokuroria Publike dhe çfarë ka ndodhur, përsëris Maqedonia nuk ka hetim efektiv kundër brutalitetit policor”,- u shpreh avokati i popullit, Ixhet Memeti.

Ndërkohë, deputetja e PRSD-së, Sonja Mirakovska, tha se VMRO në pushtet nuk kërkonte avokat policor ndërsa tani ndodh e kundërta.

“Me të vërtetë jam e lumtur që tash e pranoni idenë për ombdusman policor, por dua të komentoj se nuk jeni konsekuent në qëndrimet tuaja derisa jeni në pushtet dhe opozitë, kur ishit në pushtet ishte gjëja e fundit që u interesonte dhe ishit kundër që ky ligj të vendosej në procedurë kuvendore”,- tha deputetja e PRSD-së, Sonja Mirakovska.

Institucioni Avokati i Popullit kërkoi ndryshime ligjore edhe për çështjen e shpalljes së konkurseve për punësim dhe financimin e punonjësve të ri. (Flutura Latifi, TVM2)