Mogerini takon Thaçin dhe Vuçiçin, dakordim për vazhdimin e dialogut Kosovë - Serbi
Shefja për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini....

Shefja për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka pritur sot në një takim joformal presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Në një njoftim të lëshuar nga zyra e përfaqësueses së Lartë të BE–së thuhet se palët janë dakorduar për të punuar për fazën e re të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, mbi normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Ata ranë dakord për të punuar në fillimin e një faze të re të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimit, dhe ata vendosën që ekipet përkatëse të fillojnë të punojnë mbi përgatitjet. Theksuan gjithashtu rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialog pa vonesë”,- thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e BE–së.
Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për RTK–në ka thënë se takimi i sotëm me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është në vazhdën e takimeve të tjera, ndërsa është shprehur optimist se ky lloj dialogu do të ketë një fund të kënaqshëm për qytetarët e Kosovës dhe për shtetet mike të saj, ShBA-në, por dhe BE-në, si ndërmjetësuese e dialogut.
“Vetëm nëpërmjet bisedimeve dhe integrimit do të ecim përpara në rrugën e paqes dhe stabilitetit e integrimit”,- tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka njoftuar se pas bisedimeve me homologun e tij nga Kosova dhe shefen për politikë të jashtme të BE-së, kanë rënë dakord që të vazhdojnë dialogun dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani. Formimi i komunave serbe, nënkuptohet, në këtë çështje nuk ka negociata të mëtejshme, ka thënë Vuçiq.
Negociatat e ndërmjetësuara nga BE-ja ishin pezulluar për një kohë të gjatë, fillimisht prej zgjedhjeve presidenciale serbe, që u mbajtën më 2 prill, e më pas edhe për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)
