Shoqatat e gazetarëve, kërkesë për reforma urgjente në media

03.07.2017 18:02

Në pritje të reformave në sferën e mediave, të cilat dalin nga marrëveshja e Përzhinës....

Në pritje të reformave në sferën e mediave, të cilat dalin nga marrëveshja e Përzhinës, Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë, Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe punonjësve mediatikë, Këshilli për etikë në mediat, Instituti i Maqedonisë për media dhe Instituti për studime të komunikimeve kërkojnë nga Qeveria t’i zbatojë reformat sistematike në media përmes masave praktike dhe ndryshimeve të domosdoshme ligjore dhe të fillojë një proces transparent të diskutimit publik, që do të sillnin përmirësim të lirisë së shprehjes dhe gjendjes në sektorin mediatik. Shoqatat e gazetarëve kërkojnë që reformat të zbatohen si një proces gjithëpërfshirës, transparent dhe të planifikuar mirë, në konsultim me organizatat civile, para se të jepen në Qeveri për t’u miratuar.

Shoqatat e gazetarëve kërkojnë ngritje të nivelit të sigurisë së gazetarëve dhe shkatërrim të praktikës së mosdënimit të sulmeve ndaj gazetarëve, respektim të të drejtave profesionale dhe të punës së gazetarëve dhe punëtorëve tjerë në media,  transparencë të institucioneve publike dhe përmirësim të kushteve për gazetari hulumtuese, pavarësi, kompetenca dhe financim të Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audio-vizuale, autonomi institucionale, redaktim dhe financim të pavarur të RTM-së.

Shoqatat kërkojnë ndryshime ligjore për emërimin e anëtarëve të Këshillit të programit në RTM, me qëllim të, siç thonë,  departizimit të këtij trupi, ndryshime ligjore në zgjedhjen e kryeredaktorëve të serviseve programore në bazë të një konkursi publik, kritere të reja për zgjedhjen e drejtorëve të RTM-së, përzgjedhja e të cilëve duhet të bëhet në bazë të profesionalizmit, e jo në baza partiake, dhe zgjidhje afatgjate dhe stabile për  financim të pavarur të RTM-së, duke marrë parasysh mbledhjen joefikase të taksës radio-difuzive.

Shoqatat kërkojnë nga  institucionet përkatëse të zbatojnë revizion për punën financiare të RTM-së në vitet e fundit, me qëllim të marrjes së masave për konsolidimin e gjendjes.

Gjithashtu shoqatat e gazetarëve kërkojnë edhe parandalimin e gjuhës së urrejtjes dhe nxitjen e dhunës në përmbajtjet audio-vizuale, shkëputjen e lidhjeve klientеlistike mes pronarëve të mediave dhe pushtetit, dhe përmirësim të kushteve për punë të mediave private dhe anulim të Ligjit për shërbime mediatike audio dhe audio-vizuale në aspekt të prodhimit të programeve dokumentare të vendit në televizionet nacionale. (Gazmend Rexhepi, TVM2)