Lirohet Sami Lushtaku
Kryetari i komunës së Skënderajit, ish komandanti i UÇK-së Sami Lushtaku....

Kryetari i komunës së Skënderajit, ish komandanti i UÇK-së Sami Lushtaku, sapo është liruar nga burgu i sigurisë së lartë në Gërdoc të Podujevës, raporton rtklive.com.
Lushtaku është pritur nga familjarët e tij, përfshirë edhe të birin e tij Mërgimin, tashmë deputet në Kuvendin e Kosovës.
Në krah të Lushtakut janë parë edhe miq të tij si dhe avokati Arianit Koci.
Menjëherë pas lirimit, Lushtaku tha se ndjen keqardhje që kolegët e tij akoma nuk janë liruar.
“Me dëshirë më të madhe s’kisha qen këtu fare. Ju gazetarët më së miri e dini se çka donë me thanë drejtësia në Kosovë. Mua po më duket që kam dalë nga një burg e po shkoj në një tjetër”, ishin fjalët e para të Lushtakut pas lirimit”, deklaroi Lushtaku.
Në anën tjetër avokati i tij mbrojtës, Arianit Koci, ka thënë se edhe një herë u dëshmua se lufta e UÇK’së, ishte një luftë e drejt.
“Me dëshirë të zotit Lushtaku, ai ka vendosur që së pari të bëj homazh në varrin e komandantit legjendar Adem Jashari”, ka thënë avokati Koci.
Lirimi i Lushtakut është përshëndetur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kanë thënë se me indinjatë të thellë po përcjellin proceset gjyqësore ndaj të gjithë ish luftëtarëve të UÇK-së. Sipas kësaj organizate, gjitha këto procese ishin tendencioze dhe të dirigjuara siç thonë ata, nga shovinizmi serb.
“Ne presim që edhe të gjithë të tjerët të lirohen, për arsye se janë duke u mbajtur në burgje me akuza politike”, thuhet në reagimin e Kryesisë së OVL të UÇK-së me kryetar Hysni Gucati.
