“Përmbytet” Kili, 50 mijë pa energji elektrike
Rreth 4 mijë njerëz kanë mbetur pa kulm mbi kokë në Kili pas reshjeve jo të zakonta të shiut që shkaktuan vërshimin e lumenjve………

Rreth 4 mijë njerëz kanë mbetur pa kulm mbi kokë në Kili pas reshjeve jo të zakonta të shiut që shkaktuan vërshimin e lumenjve. Shumë qytete mbetën pa ujë të pijshëm dhe energji elektrike dhe 50 mijë banorë të tyre u gjendën në një situatë vërtetë kaotike.
“Ndjemë një si shpërthim dhe fqinjët erdhën në derën tonë të na kërkonin ndihmë për 3 të moshuar që kishin mbetur të rrethuar nga uji. I ndihmuam të dalin nga shtëpia e tyre”, u shpreh Alejandra Hernandez.
Lumenjtë kanë vërshuar rrugët edhe në qytetin e dytë më të madh në Kili, Koncepcion, ndërkohë që rrugët në Osorno janë kthyer në kanale uji, ku kalojnë varkat e emergjencës për të shpëtuar banorët e mbetur të ngujuar nga uji që ka vërshuar shtëpitë e tyre.
“Në zonat urbane, në shumë provinca, por më shumë në Puertop Mont, shumë rrugë janë përmbytur. Edhe zonat rurale tashmë janë vërshuar nga ujërat e lumenjve që kanë mbuluar shtëpitë”, theksoi guvernatori i provincës Llanquihue, Juan Carlos Gallardo.
Meteorologët paralajmërojnë reshje të reja dhe në zonat më të goditura, shkollat dhe ndërmarrjet janë mbyllur. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
