Botë

Peniani teston ndërkontinentalen, raketa përfundon në ujërat e Japonisë

04.07.2017 10:31

Është përshkallëzuar situata në gadishullin Korean. Peniani ka testuar këtë herë një raketë balistike ndërkontinentale....

Është përshkallëzuar situata në gadishullin Korean. Peniani ka testuar këtë herë një raketë balistike ndërkontinentale, e cila ka fluturuar për 40 minuta dhe më pas ka përfunduar në ujërat territoriale japoneze. “Lëshimi i raketës ka rezultuar me sukses”, ka njoftuar qeveria në Penian, duke acaruar fqinjët. 
 
“Testi i sotëm i Veriut tregon qartë se si kërcënimi i Penianit bëhet gjithmonë e më i rrezikshëm. Në kuadër të Samitit të G 20 në Gjermani, do të trajtojmë edhe temën e mardhënieve mes Japonisë, SHBA-ve dhe Koresë së Jugut. Ne do të konfirmojmë se të tre vendet tona do të punojnë bashkarisht ndaj këtij presioni të shtuar të Penhianit”, tha Shinzo Abe, Kryeministër i Japonisë.
 
Lidhur me testin ka reaguar edhe Seuli zyrtar. Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se raketa ka fluturuar për 930 kilometra nga baza Banghjun, ndërkohë që detajet si lartësia dhe shpejtësia janë ende në fazë verifikimi.
 
Ushtria vazhdon të jetë në gjendje gatishmërie për t’i bërë ballë provokimeve të Koresë së Veriut. Testi i fundit vjen pas një seri provash të raketave tokë-ajër të kryera nga baza lindore Uonsan muajin e kaluar. në këtë rast, distanca e përshkuar nga raketa ishte 200 kilometra, në gjendje të godasë njësitë detare.
 
ARLINDA BAFTIU