Botë

Australi, zogjtë “terroristë” shkundin avionin

04.07.2017 13:03

Pasagjerët e një avioni të nisur nga Australia drejt Kuala Lumpurit kanë përjetuar momente paniku në bord...

Pasagjerët e një avioni të nisur nga Australia drejt Kuala Lumpurit kanë përjetuar momente paniku në bord, shkak i të cilave nuk është bërë një sulmë terrorist, por mësymja e disa zogjve.
 
Përplasja e shpendëve ka bërë që avioni të dridhej duke tmerruar personat që udhëtonin në të. Telashet e fluturimit “D7 207” të “AirAsia X”, i cili transportonte 359 vetë, nisën pak pas ngritjes në ajër nga Bregu i Artë. 
 
Pasagjerët thonë se nisën të dëgjonin zhurma të forta e panë shkëndija të dilnin nga njëri prej motorëve. Fatmirësisht, mjeti arriti të kthehej mbrapsht e të ulej në Brisbejn një orë më vonë. 
 
Reagimi i shpejtë i pilotit dhe pjesëtarëve të tjerë të ekuipazhit është lavdëruar nga drejtuesit e linjës ajrore. 
 
Javën që shkoi, një tjetër avion i “AirAsia X” u shtrëngua të kthehej mbrapsht në Perth pas një problemi në motor, që e kishte bërë mjetin fluturues të shkundej dhunshëm si “të ishte një lavatriçe”./Top Channel