Maqedoni
Rasti “Telekom”, seanca kundër Bogoevskit më 5 shtator
04.07.2017 13:27
Gjykata Themelore Shkup-2 ende nuk mund të vendosë nëse është ose jo kompetente për dëshminë e ish-shefit sekret të policisë, Sllobodan Bogoevskit...

Gjykata Themelore Shkup-2 ende nuk mund të vendosë nëse është ose jo kompetente për dëshminë e ish-shefit sekret të policisë, Sllobodan Bogoevskit, i akuzuar për shpifje nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, dhe Musa Xhaferi, duke marrë parasysh faktin se Sllobodan Bogoevski deklaratën e tij e ka dhënë para gjykatës së qarkut në Nju Jork.
Edhe kësaj radhe seanca gjyqësore nuk filloi pasi dëshmitarët e propozuar, noteri dhe avokati që kanë qenë prezentë kur Bogoevski e ka dhënë deklaratën nuk deshën të japin asnjë shpjegim, duke u thirrur në fshehtësinë e profesionit.
“Do të vazhdohet më tej pa pasur vendim konkret a janë kompetente gjykatat e vendit për të vepruar për këtë rast. Seanca e ardhshme do të jetë seancë parapërgatitore ku do të veprohet për provat”,- u shpreh avokati mbrojtës, Valentin Zafirov.
Zafirov kërkon fillimin e reformave të paralajmëruara në gjyqësor me ndryshimin e ligjit për Këshillin Gjyqësor, që do të mundësonte pastrimin e përbërjes aktuale të Gjykatës Penale, në veçanti të departamentit për krim të organizuar.
“Gjithashtu të respektohet rregullorja gjyqësore në përpilimin një herë në vit të planit vjetor të gjykatësve, e jo si tani çdo 10 ditë të bëhen ndryshime të planit të tyre të punës, që është metodë flagrante për kurdisje të pastër të gjykatësve”,- u shpreh avokati mbrojtës, Valentin Zafirov.
Sllobodan Bogoevski është paditur nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, dhe ish-zëvendëskryeministri Xhaferi për shpifje gjatë dëshmisë së tij, në të cilën përmenden emri i Ahmetit, Xhaferit dhe Vllado Buckovskit si persona që kinse kanë marrë mito prej 7.5 milionë euro për t’ia siguruar monopolin në tregun e telefonisë në kompaninë “Maxhar Telekom”.
Ahmeti dhe Xhaferi kërkojnë 5.5 milionë denarë kompensim për këtë shpifje nga Bogoevski. Seanca e ardhshme gjyqësore për Bogoevskin është e caktuar për më 5 shtator të këtij viti.
REXHEP QAMILI
