Maqedoni

Konsolidimi i tokave bujqësore 2.5 mln euro, mbështetje edhe nga fondet e BE-së

04.07.2017 14:18

Maqedonia duhet të intervenojë në konsolidimin e tokës bujqësore me qëllim që të ul komplikimet e punës së fermerëve lokalë si dhe koston e punës...

Maqedonia duhet të intervenojë në konsolidimin e tokës bujqësore me qëllim që të ul komplikimet e punës së fermerëve lokalë si dhe koston e punës, e nga ana tjetër të rrisë konkurrencën e tregut dhe të hapet mundësia për teknologji të avancuar bujqësore. Kështu deklaroi sot euroambasadori, Samuel Zhbogar, që porosit autoritetet të ndjekin shembullin e vendeve të BE-së.
 
“Përvojat e vendeve të BE-së tregojnë se është e mundur konsolidimi të zbatohet me mbrojtje paralele të ambientit jetësor. Kjo duhet të merret parasysh, ndërkaq duhet të shfrytëzohet edhe toka bujqësore shtetërore për përkrahjen e konsolidimit të parcelave private”,- deklaroi shefi i misionit të BE-së në RM, Samuel Zhbogar.
 
Ministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski, theksoi se ky projekt do të jetë në dobi të pronarëve bujqësorë, të cilët momentalisht shpenzojnë shumë para, për shkak se i kanë parcelat e tyre në lokacione të ndryshme.
 
“Qëllimi është që secila amvisëri të posedojë pronë më të madhe të tokës në bazë të rregullativave, përkundër asaj që tani i kanë parcelat e vogla në lokacione të ndryshme. Kjo do të zvogëlojë koston  e trajtimit, ndërkaq do të rrisë produktivitetin, mundësinë për të pranuar metoda dhe teknologji të reja prodhuese, si dhe mundësi për ndërtimin e një infrastrukture më të mirë rurale”,- theksoi ministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski.
 
Projekti për konsolidimin e tokës bujqësore ka filluar në muajin mars të këtij viti, i cili do të kushtojë 2.5 milion euro, me mbështetje nga fondet e BE-së dhe Organizata për Ushqim dhe Agrokulturë.
 
Konsolidimi i tokës bujqësore do të realizohet nëpërmjet projektit “Mainland” dhe pritet të përfundohet në gusht të vitit 2020.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU