SHGM

SHGM: Vendimi i kushteteuses, skandaloz

04.06.2014 17:44

Sipas SHGM-së, është e turpshme që gjykatësit të pohojnë se gazetarët janë larguar për shkaqe sigurie. Drejtësinë për 24 dhjetorin, SHGM do ta kërkojë në Strazburg, në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut…..

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë e ka cilësuar si skandaloz, absurd, madje edhe shumë të rrezikshëm për demokracinë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila  nuk ka konstatuar dëbim të dhunshëm ndaj gazetarëve dhe shkelje të lirisë së shprehjes në Galerinë e Kuvendit më 24 dhjetor të vitit 2012.

Sipas SHGM-së, është e  turpshme që gjykatësit të pohojnë se gazetarët janë larguar për shkaqe sigurie. Drejtësinë për 24 dhjetorin, SHGM do ta kërkojë në Strazburg, në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. 

“Vendimi nuk mbron qëllime legjitime, sepse në këtë rast nuk kishte qëllim më të lartë sesa liria e fjalës dhe e drejta e opinionit për të informuar dhe se intervenimi i Shtetit në këtë rast nuk ishte i domosdoshëm në një shoqëri demokratike. Prandaj jemi në konsultime me gazetarët, të cilët i nisëm para Gjykatës Kushtetuese, do ta autorizojmë avokatin e Shoqatës që të bëjë padi në Gjykatën Evropiane dhe po mbledhim autorizimet e duhura prej gazetarëve”, - deklaroi kryetari i SHGM-së, Naser Selmani.

Nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë gjithsesi shprehen të gatshëm për një raund të ri bisedimesh me Qeverinë e re, për të propozuar ndryshime dhe plotësime të ligjit për dispozitat dënuese dhe për shërbimet audio dhe audio-vizuele. Në negociatat eventuale, SHGM-ja do t’i propozojë Qeverinë, konceptin e Austrisë për transparencë të  mediave.

“Raportet vjetore të KE-së janë përplot me vërejte dhe kritika për gjendjen e lirisë së medias në Maqedoni dhe mendoj se kryeministri i vendit nëse është konsekuent për atë që e thotë para qytetarëve të Maqedonisë, se punon për integrimin e vendit në BE, duhet të reagojë dhe veprojë që t’i zgjidh problemet të cilët janë theksuar në raportet e KE-së”, theksoi kryetari i SHGM-së, Naser Selmani.

SHGM konstaton se dënimet e larta të parashikuara me ligj mund të keqpërdoren si presion ndaj mediave dhe gazetarëve. (Rexhep Qamili, TVM2)