Maqedoni

Regjistrimi në shkollat e mesme, 24.529 vende të lira për paraqitjen e dytë

04.07.2017 14:36

Në shkollat e mesme publike në të gjithë vendin, nesër mbahet afati i dytë i regjistrimit, ndërsa rezultatet për regjistrim të nxënësve do të publikohen më 6 korrik...

Në afatin e parë më 28 dhe 29 qershor, nga 17.179 të paraqiturit, janë pranuar 11.205 nxënës. MASh paralajmëron se për paraqitjen e dytë në afatin e parë të regjistrimit ka 24.529 vende të lira, megjithatë në disa shkolla, kryesisht nëpër gjimnaze dhe në drejtimin profesional të mjekësisë, vendet janë mbushur që në paraqitjen e parë të qershorit.
 
Gjithsej nëpër gjimnaze ka 6.171 vende të lira (2,215 për nxënës për mësim në gjuhën shqipe; 3.504 për nxënës me mësim në gjuhën maqedonase; 344 për nxënës në gjuhën turke; 34 për nxënës në gjuhën serbe dhe 74 për përsëritës), në arsimin profesional ka 18.252 vende të lira (5.204 për nxënës për mësim në gjuhën shqipe; 12.554 për nxënës në gjuhën maqedonase; 475 për nxënës në gjuhën turke dhe 19 për përsëritës).
 
Në gjimnazin e sportit janë të lira 106 vende, prej të cilave 36 janë për nxënës për mësim në gjuhën shqipe; 60 për në gjuhën maqedonase dhe 10 për përsëritës). Në numrin e përgjithshëm të nxënësve të regjistruar dhe vendeve të lira për paraqitjen e dytë në afatin e regjistrimit të qershorit nuk është përllogaritur numri i nxënësve nga shkollat e mesme të arteve, pasi nxënësit në ato shkolla japin provime shtesë.
 
Për nxënësit të cilët edhe në paraqitjen e dytë në qershor nuk do të regjistrohen në arsim të mesëm, ka edhe afat të dytë për regjistrim – më 24 gusht, ndërsa shkollat të cilat edhe në të dy afatet nuk do t’i plotësojnë vendet do të regjistrojnë nxënës deri më 31 gusht. 
 
Në vitin shkollor 2016/2017 klasën e nëntë e përfunduan 20.712 nxënës. Arsimi i mesëm u bë i obligueshëm për të gjithë nxënësit nga viti shkollor 2008/2009, në pajtueshmëri me ndryshimet e Ligjit për arsim të mesëm.
 
REJHANE BUSHI-METAJ