Sërish dridhje toke në Ohër, ekspertët: toka po qetësohet, s’ka vend për panik
Edhe sot kanë vazhduar dridhjet e tokës në rajonin e Ohrit....

Edhe sot kanë vazhduar dridhjet e tokës në rajonin e Ohrit. Sizmologët sqarojnë se arsyeja e këtyre tërmeteve të shpeshta javës së fundi është për shkak të vendndodhjes gjeografike të Ballkanit në zonën e përplasjes së pllakave tektonike afrikane-kontinentale dhe pllakës tektonike europiane, të cilat tërhiqen mes tyre dhe krijojnë grumbullim të konsiderueshëm të energjisë, që më pas çlirohet duke shkaktuar dridhje të tokës.
“Maqedonia është e vendosur në rreth 20 blloqe tektonike, të cilat ndonjëherë janë në pozitë jostabile dhe mënyrë e vetme për të ardhur në pozitë stabile këto pllaka duhet të vijë deri tek zhvendosja e pozicione, me ç’rast lirohet energji e madhe. Këto zhvendosje ne i përjetojmë si tërmete",- deklaroi eksperti për tërmete, Ivica Milevski.
Sa i përket tërmeteve në Ohër, sizmologët thonë se rajoni nuk i përket zonës që akumulon energji tektonike dhe mendojnë se tashmë energjia e grumbulluar është çliruar, pra nuk priten dridhje të reja të fuqishme dhe pritet stabilizim i dridhjeve aktuale. Ekspertët nuk presin as aktivizim të vullkanit në Kosel, siç u përfol nga disa media.
Dridhjet sipas tyre në këtë rajon mund të vazhdojnë edhe në dy javët e ardhshme, por janë dridhje normale, prandaj ftojnë qytetarët të ruajnë qetësinë.
Dridhjet mund të shkaktojnë plasaritje tek ndërtimet e vjetra, por në asnjë mënyrë nuk mund të jenë aq të fuqishme sa të shkaktojnë dëme të mëdha, thonë ekspertët. Këshillohen qytetarët të evitojnë qëndrimet nën ballkonet e shtëpive të vjetra që pësuan plasaritje gjatë tërmetit të djeshëm në rajonin e Ohrit. (Lumturije Hajro, TVM2)
